Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga takimi me banorët e Memaliajt e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po sillet ndaj qytetarëve “më egër dhe më shpërfillës” duke e konsideruar të dytin pas Enver Hoxhës.
“Ky moment që jemi sot, është pashembullt në 30 vite. Ua them si demokrat. Kjo sepse kemi një njeri që në mënyrë absolute nuk është as demokrat, as socialist, as i paparti, por që me ekipin e tij sillet ndaj qytetarëve, nëse heqim burgjet dhe kampet e përqëndrimit, më egër dhe shpërfillës në historinë e këtij vendi. Pas Enver Hoxhës është i dyti, është hajdut që vjedh ditë e natë, pasurinë e tij e ndërton mbi fatkeqësinë e shqiptarëve, largimin e tyre.
Kjo e bën detyrën tonë një mision të madh për të shpëtuar nga ky regjim. Ai s’ka asgjë të përbashkët me një socialist. Kalohet nga vjedhja në vjedhje. Firmos 6 mln euro satelitin sepse unë 14 katet e kullës pa leje nuk i shoh sepse më pengon kushëriri, por mi tregon sateliti. I merr shqiptarët për njerëz të paditur, por ata janë shumë më inteligjentë, patriotë të ndershëm dhe bëjnë gjithçka për të ndërtuar ëndrrën e tyre në Shqipëri. Nëse s’do ishte i tillë ju garantoj se sot me të ardhurat e 9 viteve, 400 miliard lekë, me borxhin që ka marrë 500 miliardë lekë, pensionet dhe ndihmat ekonomike do ishin 3 herë më të larta.”- tha Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh i bindur se opozita do të bashkohet dhe e bashkuar do të rrëzojë Ramën nga qeveria.
“Të ngrihemi të bëjmë gjithçka për një fitore të thellë në këto zgjedhje, të bëjmë gjithçka që me protesta të fuqishme t’i japim duart kësaj qeveria e cila ju garantoj se në 100 vitet e fundit nuk ka vjedhur kurrë një qeveri siç vjedh kjo shqiptarët. Unë ju siguroj ju, se pavarësisht kushtet dhe rrethanave PD dhe opozita shqiptare do bashkohet dhe e bashkuar do të nxjerrë nga pushteti Ramën dhe klikën e tij.”– tha ai.