Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar të enjten shtatë liderë të lartë iranianë. Kjo për shkak të rolit të tyre në mbylljen e aksesit në internet të vendit dhe goditjen e disidentëve që protestonin për vdekjen e një gruaje të re e cila u mor në paraburgim, pasi nuk i kishte mbuluar siç duhet flokët me një hixhab.
Siç shkruan VOA, Departamenti i Thesarit shënjestroi ministrin e Brendshëm iranian Ahmad Vahidi dhe ministren e Komunikimit të vendit, Eisa Zarepour, së bashku me pesë zyrtarë të tjerë në aparatin e sigurisë së Iranit.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë: “Shtetet e Bashkuara dënojnë shtypjen e vazhdueshme të dhunshme të protestave nga qeveria iraniane pas vdekjes tragjike të 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e të ashtuquajturës policia e moralit. Qeveria iraniane që atëhere ka goditur të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e tubimit paqësor”.
Sanksionet ngrijnë çdo pasuri që shtatë iranianët mund të kenë në SHBA dhe i bllokojnë ata nga kryerja e çdo transaksioni financiar, si dhe ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me ta.
Këto sanksione vijnë pasi u paralajmëruan më herët gjatë kësaj jave nga presidenti Joe Biden, i cili premtoi se administrata e tij së shpejti do të vendoste “kosto të mëtejshme për autorët e dhunës kundër protestuesve paqësorë“.
Ndërkohë, nivelet e larta të udhëheqjes brenda Iranit kanë kërkuar të fajësojnë ndikimet e jashtme për nxitjen e trazirave për gati tre javë rresht. Në përgjigjen e tij të parë publike ndaj protestave, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, pretendoi se protestat ishin orkestruar nga SHBA dhe Izraeli.