Vendosni fjalën kyçe....

Wall Street Journal: Gati gjysma e punonjësve të DASH-it raportojnë diskriminim, bullizëm dhe ngacmim seksual në punë

Gati gjysma e të gjithë punonjësve në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve raportojnë se kanë përjetuar diskriminim, bullizëm dhe ngacmim në vendin e punës.

Kështu raportoi të enjten The Wall Street Journal duke iu referuar një ankete të brendshme të DASH-it.

Këto rezultate duket se bien në kundërshtim me komentet e Departamentit të Shtetit muajin e kaluar, kur tha se kishte përfunduar planin pesëvjeçar të diversitetit dhe përfshirjes, me synimin për të rekrutuar një fuqi punëtore më të larmishme dhe për të promovuar një përfshirje më të madhe për gratë, pakicat dhe grupet e tjera të nënpërfaqësuara.

Në këtë anketim morën pjesë përafërsisht 8 mijë e 600 anëtarë të personelit të departamentit, oficerë nga zyra e shërbimit të huaj dhe nëpunës civilë, kjo rreth një e treta e fuqisë totale punëtore.

Kështu, rezultatet e anketës e cila nuk është bërë publike tregoi se rreth 44% e oficerëve të shërbimit të huaj dhe nëpunësve civilë thanë se ishin diskriminuar në vendin e punës, ndërsa 27% e tjerë thanë se kishin përjetuar ngacmime, duke përfshirë edhe ngacmimin seksual.

Shumica nuk e raportuan sepse nuk mendonin se personi përgjegjës do të mbahej përgjegjës ose kishin frikë nga hakmarrja, dhe shumë nga ata që raportuan problemin ishin të pakënaqur me rezultatin.

Në shenjë skepticizmi rreth premtimeve të administratës Biden për të përmirësuar diversitetin në fuqinë punëtore federale, sondazhi zbuloi se më pak se gjysma e punonjësve të nivelit të ulët dhe të mesëm në Departamentin e Shtetit shohin një angazhim të fortë për të ndryshuar nga lidershipi.

Një pjesë më e madhe e njerëzve nga grupet e nënpërfaqësuara thanë se planifikojnë të japin dorëheqjen, tregon anketa, pjesërisht për shkak të shqetësimit për paragjykimet në procesin e detyrave dhe promovimeve.

Ky shkrim i WSJ vjen 23 ditë pasi DASH publikoi “komponentët thelbësorë” të planit strategjik pesë-vjeçar të Diversitetit, Barazisë, Përfshirjes dhe Aksesueshmërisë që synon “të sigurojë që ne kemi ekipin më të mirë që përfaqëson popullin amerikan jashtë vendit”.

Plani kërkonte që Departamenti i Shtetit të vendoste objektiva rekrutimi dhe mbajtjeje për një “fuqi punëtore të larmishme”, si dhe “të vendosë masa konkrete për të promovuar një përfshirje më të madhe për gratë, punonjësit me aftësi të kufizuara, punonjësit LGBTQI+ dhe pakicat fetare, racore dhe etnike”.

Nisma ishte rezultat i një urdhri ekzekutiv të 25 qershorit 2021, i cili u bëri thirrje agjencive federale të vendosnin procedura për të rritur diversitetin dhe përfshirjen.

“Ky urdhër përcakton se është politika e administratës sime të kultivojë një fuqi punëtore që tërhiqet nga diversiteti i plotë i kombit … dhe vendos procedura shtesë për të avancuar këto prioritete në të gjithë fuqinë punëtore federale.”– tha Presidenti Biden në atë kohë.

Por rezultatet e sondazhit të Departamentit të Shtetit tregojnë se më shumë se një vit më vonë, problemet mbeten.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e WSJ/ Përshtati në shqip Hashtag.al