Një fëmijë 4-vjeçar ka humbur jetën dhe një 16-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një aksidenti në rajonin Agios Donatos të Lefkadës në Greqi.
Siç bëjnë me dije mediet e shtetit fqinj, aksidenti tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së premtes së 7 tetorit në një rrugë malore, kur traktori që drejtohej nga një 30-vjeçar shqiptar është përmbysur.
Si pasojë, ka humbur jetën djali 4-vjeçar i shoferit dhe është plagosur nipi i tij.
Në vendngjarje kanë shkuar dy autoambulanca por për djalin 4-vjeçar ishte tepër vonë. I plagosur lehtë ka mbetur edhe babai i tij dhe drejtuesi i traktorit, që po merret në pyetje nga policia.
“Dje, e premte (07.10.2022), në mbrëmje, në rrugën e rrethit Syvrou Karyas në Lefkada, një traktor bujqësor i drejtuar nga një i huaj 30 vjeç, ka devijuar drejtimin dhe ka rënë në një arë ngjitur, me pasojë plagosjen vdekjeprurëse të një të mituri (4 vjeç) i hipur mbi të. Hetimet paraprake për përcaktimin e rrethanave të sakta të aksidentit rrugor po kryhen nga Drejtoria e Qarkullimit në Lefkadë.”- thuhet në njoftimin e policisë greke.