Gazetarja Jonida Shehu ka nisur një projekt të ri, emisionin “Barometri”, i cili është një investim i televizionit “Euronews Albania” në bashkëpunim me një kompani prestigjioze sondazhesh.
Shehu përmes këtij programi të ri televiziv do të përpiqet të sjellë përmes sondazheve javore aktualitetin politik, dhe shqetësimet e shoqërisë shqiptare.
Profili i gazetares Shehu është profil distant me politikën, çka i jep natyrës se emisionit dhe më shumë besueshmëri në krahasim me programet politike apo sondazhet që jemi mësuar të ndeshemi deri më tani.
Me mbrëmjen e parë që ishte dje (shiko këtu), u publikuan rezultatet e një sondazhi, ku mes të cilave u zbulua lideri më i preferuar dhe më pak i preferuar i shqiptarëve, apo se çfarë mendojnë shqiptarët për situatën në vend.
Disa rezultate:
Lideri i preferuar
Duket se kryeministri Edi Rama, pavarësisht zhgënjimeve të shumta sërish mbetet më i pëlqyer në krahasim me kundërshtarët e tij.
Ky tregues barometri është realizuar në periudhën 9-21 shtator 2022, kryer nga MRB dhe Data Centrum, në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë.
Pas Ramës, vjen kryetari i PD-së Sali Berisha. Ndërsa më zhgënjyes në këtë sondazh rezulton ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, pasi lart tij qëndrojnë Erion Veliaj, si dhe Lulzim Basha e Enkelejd Alibeaj veç e veç.
Ç’mendojnë shqiptarët se si po ecin gjërat në vend
Të pyetur nga Barometri, nga 1 mijë persona rreth 60.2% e shqiptarëve janë shprehur pesimistë për ecurinë e situatës së përgjithshme në vendin tonë. Pra gati 2/3 u shprehën se situata në vendin tonë po shkon “shumë keq”. Ndërsa vetëm 9.5% e të pyeturve mendojnë se situata në vendin tonë është në rrugën e duhur.
Pesimizmi shtohet edhe më shumë kur shqiptarët i pyetëm për ecurinë e situatës ekonomike, të cilën e kanë vlerësuar negativisht, 69.3% e tyre. Vetëm 6.2% e tyre mendojnë se situata ekonomike është shumë e mirë.