Vendosni fjalën kyçe....

Kapen me 350 rrënjë bimë narkotike, arrestohen 3 persona në Lezhë


Policia e Lezhës në bashkëpunim me prokurorinë kanë kapur rreth 350 rrënjë kanabis në fshatin Velë.

Shtetasit, Gjok Marku, Alban Lleshaj dhe Alfred Doda, njëri prej tyre i shpallur në kërkim gjatë periudhës hetimore u kapën në flagrancë duke shkuar me automjet në drejtim të zonës ku kishin kultivuar bimët narkotike.

Në kuadër të procedimit penal të nisur nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative për kultivim të bimëve narkotike në zonën e fshatit Velë, ka vijuar hetimi proaktiv disamujor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Vela”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan shtetasit:

– Gj. M., 56 vjeç, banues në Velë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” (me precedent të mëparshëm kriminal);

– A. Ll., 37 vjeç dhe A. D., 43 vjeç, të dy banues në Tresh.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë disa muajve, kanë kultivuar në zona të pyllëzuara të fshatit Velë, Lezhë, rreth 150 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies, nga shërbimet e Policisë, gjatë periudhës hetimore.

Gjithashtu, po gjatë kësaj periudhe hetimore, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 200 bimë narkotike në proces tharjeje, që këta shtetas i kishin vendosur në një banesë të braktisur në këtë zonë, të cilën dyshohet se e përdornin për këtë veprimtari kriminale.

Shtetasit Gj. M., A. Ll. dhe A. D. janë lokalizuar dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, duke udhëtuar me një automjet, në zonën Kolsh, në drejtim të zonës ku janë evidentuar bimët narkotike. Gjatë kontrollit në momentin e ndalimit, brenda në automjet janë gjetur mjete pune për përpunimin e bimëve narkotike.