Vendosni fjalën kyçe....

Meta për Ramën: Kërkon të fajësojë BE-në për shpopullimin, koha për ta ndëshkuar sektin e tij


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për komentet e fundit të kryeministrit Edi Rama lidhur me largimin e shqiptarëve nga vendi.

Meta thotë se Rama kërkon të fajësojë BE-në për atë që ai dhe “sekti” i tij i kanë bërë vendit dhe shton se është koha për ta ndëshkuar.

“I pafytyri i ‘Rilindjes’ kërkon të fajësojë Bashkimin Europian dhe vendet e zhvilluara për shpopullimin e qëllimshëm që ai me sektin e ‘Rilindjes’ i kanë bërë vendit tonë duke goditur shtresën e mesme, intelektualët dhe profesionistët në radhë të parë, me demotivimin financiar dhe moral. Ndaj Shqipëria është e fundit në rajon për nivelin e pagës të arsimtarëve, pedagogëve, mjekëve, infermierëve dhe intelektualëve.

Sepse të ardhurat që duhet të shkojnë për të rritur pagat e tyre dhe përmirësuar kushtet e punës vidhen nga Edvin Rama përmes aferave si inceneratorët, koncesionet, PPP, tenderat sekretë dhe çmimet më të larta në Europë të karburanteve.

Koha për ta ndëshkuar këtë sekt të papërgjegjshëm, shpopullues dhe antikombëtar!”- shkruan Meta.

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Pragë pak ditë më parë, u pyet nga gazetarët e huaj se çfarë po bën qeveria e tij për të luftuar trafikantët në veri në Francës, të cilët transportojnë emigrantë, kryesisht shqiptarë, drejt Mbretërisë së Bashkuar.

E Rama iu përgjigj: “Qeveria jonë qeveris Shqipërinë nuk jemi përgjegjës për të qeverisur veriun e Francës, apo jo?”.