Vendosni fjalën kyçe....

Rusia raporton për tre të vdekur nga shpërthimi i urës në Krime


Autoritetet ruse kanë njoftuar se nga shpërthimi i madh që ndodhi në urën e vetme që lidh Ukrainën dhe Rusinë në Krime, kanë ndërruar jetë tre persona.

Hetuesit rusë thanë se viktimat po udhëtonin në një makinë aty pranë në momentin kur një kamion shpërtheu, duke rrëzuar pjesë të rrugës së urës.

BBC shkruan se Rusia ka njoftuar se pjesa hekurudhore e urës, ku cisternat e naftës morën flakë, do të rihapen këtë mbrëmje.

Momenti i shpërthimit është kapur nga kamerat e sigurisë dhe duket se ka shpërthyer një kamion teksa po kalonte urën, hipotezë që për momentin nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur.

Ura e rrëzuar përdorej nga Rusia për të lëvizur pajisjet ushtarake në Ukrainë.

Një këshilltar i presidentit të Ukrainës Zelensky, Mykhailo Podolyak, e quajti incidentin një “fillim” – por nuk mori drejtpërdrejt përgjegjësinë e vendit të tij për shpërthimin.

“Gjithçka e paligjshme duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet të kthehet në Ukrainë, gjithçka e pushtuar nga Rusia duhet të dëbohet.”- shkroi ai në Twitter.

Ministria e Jashtme ruse tha: “Reagimi i regjimit të Kievit ndaj shkatërrimit të infrastrukturës civile është një dëshmi e natyrës së tij terroriste”.