Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 9 numri i njerëzve që humbën jetën nga shpërthimi i stacionit të benzinës në Irlandë


Nëntë persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë shtruar në spital pas një shpërthimi në një stacion karburanti në veriperëndim të Irlandës.

Në një deklaratë, Policia irlandeze tha se “tani mund të konfirmojë nëntë viktima si rezultat i këtij incidenti. Kërkimi dhe rikuperimi për viktima të tjera vazhdojnë.”

Siç shkruan CNN, shpërthimi ka ndodhur pak pas orës 15:00 të premten në County Donegal në stacionin e benzinës Applegreen në periferi të fshatit Creeslough.

Të shtunën në mëngjes kryeministri irlandez, Micheál Martin shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.

Martin tha: “Është absolutisht shkatërruese dhe mjaft tronditëse për sa i përket përmasave të kësaj tragjedie. Një shpërthim që prish normalitetin e një komuniteti”.