Vendosni fjalën kyçe....

“Vendimi më i vështirë që kam marrë”- Latifi dy ditë pasi dha dorëheqjen si ministër i Shëndetësisë në Kosovë


Rifat Latifi ka zbuluar se dorëheqja nga posti i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë ka qenë një prej vendimeve më të vështira që i është dashur të marrë në jetën e tij. Por përsëri nuk e dha arsyen e vendimit të tij.

 “Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si Ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Ju falënderoj shumë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, besimin tuaj, se ne mund ta rindërtojmë, zhvillojmë, dhe transformojmë shëndetësinë e Kosovës.”- shkruan ai.

Latifi thotë se do të mbetet ambasador dhe thotë se nuk do të ndalet derisa të transformojë shëndetësinë e Kosovës.

“Për çdo minutë të kësaj kohe, unë kam pasur nderin dhe përgjegjësinë më të madhe që dikush mund ta ketë. Për më tepër, gjatë kësaj kohe unë nuk kam bërë vetëm punën e Ministrit, ngase këtë kurrë nuk e kam marrë si punë, por si pasionin dhe përgjegjësinë më të madhe që kam pasur ndonjëherë.

Por, dua të ju siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë diasporën shqiptare kudo që jetojnë në botë, se ndonëse nuk do të jem më Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, do të mbetem ambasadori i saj më këmbëngulës për avancimin e shëndetësisë së Kosovës, dhe kurrë nuk do të ndalem së punuari për Kosovën dhe për shëndetësinë e Kosovës dhe për rimëkëmbjen dhe modernizimin e këtij sektori shumë të injoruar dhe vulnerabël. Kështu, ka qenë qysh nga viti 1985 kur jam shpërngulur në SHBA, e kështu do të jetë derisa nuk e marrë frymën e fundit në këtë botë.”– vazhdon Latifi.

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi konfirmoi të enjten se ka dhënë dorëheqjen nga ky post, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

I emëruar në muajin nëntor të vitit të kaluar, doktor Rifat Latifi është kirurg shqiptaro-amerikan me prejardhje nga Kosova, ndërsa është i njohur për arritjet e tij në fushën e mjekësisë dhe tele-mjekësisë.