Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Bota duhet të veprojë tani për të ndaluar kërcënimin bërthamor të Rusisë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se zyrtarët rusë kanë filluar të “përgatisin shoqërinë e tyre” për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por shtoi se ai nuk beson se Rusia është gati t’i përdorë ato.

Në një intervistë për BBC, Presidenti Zelensky mohoi të ketë nxitur sulme ndaj Rusisë, duke pretenduar se një vërejtje e mëparshme e tij ishte përkthyer gabimisht.

“Duhet të përdorni goditje parandaluese”- tha ai, duke iu referuar sanksioneve, “jo sulmeve”.

Në javët e fundit, ushtria ukrainase ka rimarrë pjesë të mëdha të territorit në një kundërofensivë të suksesshme që ka detyruar trupat ruse të braktisin pozicionet e mbajtura prej kohësh. Në atë që Kievi e përshkruan si përgjigjen e Moskës ndaj disfatës së saj, Presidenti Vladimir Putin ka përfshirë në Rusi katër rajone pjesërisht të okupuara të Ukrainës.

Aneksimet, të cilësuara si të paligjshme nga Ukraina dhe Perëndimi, kanë ngritur frikën për një përshkallëzim të mundshëm në luftën shtatë-mujore. Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë kanë sugjeruar se armët bërthamore – ndoshta më të vogla, armë taktike – mund të përdoren për të mbrojtur ato zona, megjithëse zyrtarët perëndimorë thonë se nuk ka prova që Moska është e përgatitur për ta bërë këtë.

Duke folur në anglisht nga zyra e tij në Kiev, Presidenti Zelensky tha: “Ata po fillojnë të përgatisin shoqërinë e tyre. Kjo është shumë e rrezikshme. Ata nuk janë gati ta bëjnë këtë, ta përdorin. Por fillojnë të komunikojnë. Ata nuk e dinë nëse do ta përdorin apo jo. Mendoj se është e rrezikshme edhe të flasësh për të.”

Më pas, në gjuhën ukrainase, ai tha përmes një përkthyesi: “Ajo që shohim është se njerëzit në pushtet të Rusisë e pëlqejnë jetën dhe kështu mendoj se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nuk është aq i përcaktuar siç thonë disa ekspertë, sepse ata e kuptojnë se nuk ka kthim pasi t’i përdorin ato, jo vetëm për historinë e vendit të tyre, por veten e tyre si personalitete”.

Megjithatë, ai mohoi të ketë bërë thirrje për sulme ndaj Rusisë të enjten, duke thënë se fjala e tij në gjuhën ukrainase që ai kishte përdorur ishte keqkuptuar.

Komenti fillestar u denoncua nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov si “një apel për të filluar një luftë tjetër botërore”, ndërsa ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se demonstronte pse Rusia kishte të drejtë të niste operacionin e saj në Ukrainë.

Zelensky shtoi se pas një përkthimi të gabuar, Rusia filloi t’i ripërkthejë fjalët e tij në drejtime të tjera.

Intervista me Zelenskyn u bë disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se kërcënimi rus për të përdorur armë bërthamore e kishte sjellë botën më afër “Armagedonit” se në çdo kohë që nga kriza e raketave Kubane gjatë Luftës së Ftohtë.

“Bota mund të ndalojë urgjentisht veprimet e pushtuesve rusë.”– tha Presidenti Zelensky. “Bota mund të zbatojë paketën e sanksioneve në raste të tilla dhe të bëjë gjithçka për t’i bërë ata të largohen nga termocentrali bërthamor.”