SHBA publikoi një paketë të re të kufizimeve të eksportit që synon industrinë e çipave të Kinës duke frenuar më tej qasjen e vendit në teknologjinë amerikane të çipave.
Dokumenti, i publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Tregtisë, përfshin një ndalim të eksportimit në Kinë të çipave të prodhuar me teknologjinë amerikane dhe të destinuara për përdorim në inteligjencën artificiale dhe superkompjuterët pa licencë eksporti.
Kufizimet e reja gjithashtu kufizojnë shitjen e pajisjeve dhe teknologjisë së prodhimit të çipave për kompanitë kineze dhe kufizojnë qytetarët dhe subjektet amerikane që të punojnë me prodhuesit kinezë të çipave, përveç nëse atyre u jepet leje speciale.
Disa nga masat do hyjnë në fuqi këtë muaj. Sipas dokumentit, kontrollet e reja të eksportit synojnë ‘të parandalojnë teknologjitë e ndjeshme me aplikime ushtarake që të përvetësohen nga ushtria, inteligjenca dhe shërbimet e sigurisë së Kinës’.
Më herët në të njëjtën ditë, SHBA-ja vendosi gjithashtu YMTC, prodhuesin kryesor të çipave të memories në Kinë, dhe 30 entitete të tjera kineze në një listë kompanish ‘të paverifikuara’, që do të thotë se zyrtarët amerikanë nuk mund t’i inspektojnë ato për t’u dhënë licenca eksporti.
Kjo do të thotë që këto firma më vonë mund të futen tërësisht në listën e zezë nga Uashingtoni, duke i ndaluar në mënyrë efektive kompanitë amerikane që t’i furnizojnë ato me çdo teknologji.
Ndërkohë, Tajvani, shtëpia e prodhuesit më të madh të çipave me kontratë në botë, Taiëan Semiconductor Manufacturing, sinjalizoi se do pajtohej me kontrollet e reja të eksportit të SHBA që synojnë Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar.