Vendosni fjalën kyçe....

Suedia nuk do lejojë Rusinë të hetojë rrjedhjet e gazit në Detin Baltik


Suedia ka thënë se nuk do të lejojë Moskën që të marrë pjesë në hetimet për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar rrjedhjet në tubacionet nënujore që bartin gazin natyror të Rusisë drejt Evropës.

Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, ka thënë më 10 tetor se ndonëse Rusia nuk do të lejohet që të jetë pjesë e hetimeve, Moska është e lirë që të kryjë inspektimet e veta në gazsjellësit: Rrjedha Veriore 1 dhe 2.

“Në Suedi, hetimet preliminare janë konfidenciale, dhe kjo gjë vlen edhe tani”, u ka thënë Andersson gazetarëve.

Rusisë do t’i lejohet qasja në zonën e rrjedhjeve të zbuluara në fund të muajit shtator, sepse ato kanë ndodhur në ujërat ndërkombëtarë, pavarësisht se aty gjendet Zona ekonomike suedeze, ka thënë ajo.

Katër rrjedhje të naftës në tri tubacione kanë rritur shqetësimet në Evropë, teksa kontinenti po përballet me krizë të energjisë.

Si pasojë e rrjedhjeve, disa tona të gazit të metanit janë liruar në Detin Baltik.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se rrjedhjet e gazit janë akte sabotazhi.

Këto deklarata kanë rritur dyshimet se Moska ka qenë mbrapa incidenteve.

Më 7 tetor, Rusia ka thënë se po synon të nisë hetimet e veta në brigjet daneze, pasi Danimarka nuk i ka dhënë qasje Moskës në hetimet e veta.

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për kryerje të sulmit në të dy gazsjellësit.