Vendosni fjalën kyçe....

Aksion kundër lojërave të fatit në Tiranë, 7 persona në pranga


Policia ka vijuar operacionin kundër lojërave të fatit në kryeqytet. Kështu në një aksion të fundit, janë arrestuar shtatë persona ndërkohë që një tjetër është vënë nën hetim në gjendje të lirë.

Sipas policisë personat në fjalë janë kapur në tre lokale të ndryshme duke ushtruar këtë aktivitet në fushën e basteve sportive përmes aparateve celulare.

Njoftimi i policisë

Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit.

Goditen 3 raste të ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, vihen në pranga 7 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur 3 raste të kësaj veprimtarie.

Në përfundim të veprimeve hetimore për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– K. B., 28 vjeç, E. B., 39 vjeç, A. A., 34 vjeç, R. H., 33 vjeç, H. H., 34 vjeç, F. O., 56 vjeç, A. D., 20 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi E. D., 43 vjeç.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, në 3 lokale të ndryshme, këta shtetas u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (basteve sportive), nëpërmjet aparateve celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.