Vendosni fjalën kyçe....

“Arritje historike” – Libani e Izraeli drejt arritjes së marrëveshjes për kufirin detar


Libani dhe Izraeli kanë marrë një draft përfundimtar të një marrëveshjeje për kufirin detar të ndërmjetësuar nga SHBA, që plotëson të gjitha kërkesat e tyre dhe mund të çojë menjëherë në një ‘marrëveshje historike’, thanë të martën negociatorët nga të dy vendet.

“Nëse gjithçka shkon mirë, përpjekjet e Amos Hochstein mund të çojnë menjëherë në një marrëveshje historike.” – i tha Reuters negociatori kryesor i Libanit, Bou Saab, minuta pas marrjes së draftit nga Hochstein, zyrtari amerikan i përfshirë në bisedime prej disa muajsh në përpjekje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.

Këshilltari izraelit për Sigurinë Kombëtare Eyal Hulata, i cili drejtoi ekipin negociator izraelit, u bëri jehonë vërejtjeve të Saab:

“Të gjitha kërkesat tona u plotësuan, ndryshimet që ne kërkuam u korrigjuan. Ne mbrojtëm interesat e sigurisë së Izraelit dhe jemi në rrugën e duhur drejt një marrëveshjeje historike.” – tha ai në një deklaratë.

Marrëveshja do zgjidhte një mosmarrëveshje territoriale në skajin lindor të detit Mesdhe në një zonë ku Libani synon të eksplorojë për gaz natyror dhe pranë ujërave ku Izraeli ka gjetur tashmë sasi të qëndrueshme të hidrokarbureve.

Hezbollah, një parti politike dhe milici libaneze e mbështetur nga Irani, ka kërcënuar se do përdorë forcën kundër Izraelit nëse Izraeli kërkon gaz pranë zonës së diskutueshme përpara se Libanit të lejohet ta bëjë këtë në zonën e tij detare.

“Ne morëm pak minuta më parë draftin përfundimtar. Ne mendojmë se ai merr në konsideratë të gjitha kërkesat e Libanit dhe ne besojmë se pala tjetër duhet të ndihet njësoj.” – tha Bou Saab.

Izraeli javën e kaluar hodhi poshtë amendamentet e minutës së fundit të marrëveshjes nga Libani që për pak kohë u duk se rrezikonin përpjekjet e gjata për të arritur marrëveshjen.

Presidenti i Libanit tha se një marrëveshje nuk nënkuptonte një ‘partneritet’ me Izraelin, një vend që Libani nuk e njeh dhe zyrtarisht e konsideron si armik.

“Ne po shmangim një luftë të sigurt në rajon.” – tha javën e kaluar kryeministri në detyrë i Libanit Najib Mikati.

Ministrja izraelite e Energjisë, Karine Elharrar tha për Radio Army se data e nënshkrimit nuk është caktuar ende. Izraeli do zhvillojë zgjedhjet më 1 nëntor dhe është ende e paqartë nëse marrëveshja do të kërkonte miratimin e parlamentit.