Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale disa foto nga protesta e zhvilluar këtë të martë në Elbasan kundër rritjes së çmimit të karburanteve.
Boçi ka përsëritur akuzat ndaj Policisë së Shtetit, që sipas tij është treguar jo profesionale duke bllokuar protestën e qytetarëve.
“Nisëm sot nga Elbasani protestat. I falenderoj me zemër të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që përtej çdo angazhimi të tyre, ishin sot në bulevardin e Elbasanit, për të protestuar kundër rritjes së çmimit të karburanteve.
Dënoj me forcë sjelljen fyese dhe jo profesionale të Policisë së Elbasanit që përtej interesit të qytetarëve për të protestuar, zgjodhën t’i binden urdhërave politikë për të bllokuar protestuesit t’i bashkohen tubimit paqësor!”– shkruan Boçi.
Deputeti i PD-së paralajmëron kryeministrin Edi Rama se duhet të jetë i përgatitur për çdo formë reagimi të qytetarëve, pasi ata do të jenë gjithnjë e më shumë.
“Askush nuk do t’ia falë Edi Ramës t’i fusë dorën në xhep atyre, për t’u marrë paratë e djersës dhe fëmijëve!”- përfundon ai.