Gazetarët e CNN, Anna Coren dhe Daniel Hodge, kanë kërkuar falje për shkeljen e skenës së vrasjes brutale të 24 fëmijëve në një qendër në Tajlandë. Dyshja u morën në pyetje nga policia dhe ranë dakord të largoheshin nga Tajlanda.
Gazetarët hynë në një qendër për fëmijë në qytetin Uthai Saëan, ku një burrë qëlloi dhe goditi me thikë disa njerëz përpara se të vriste familjen e tij dhe të bënte vetëvrasje javën e kaluar. Tridhjetë e gjashtë persona u vranë, duke përfshirë 24 fëmijë. Të paktën një duzinë të tjerë u plagosën.
“I kërkoj falje më të thellë popullit të Tajlandës, veçanërisht familjeve të viktimave.” – tha Coren në një video të shpërndarë nga mediat tajlandeze të dielën.
“Ne e dimë se vendi juaj po kalon një kohë të dhimbshme dhe nuk kemi ardhur këtu për të shkaktuar më shumë pikëllim.”
Coren dhe Hodge u akuzuan se kishin shkelur dhe filmuar një skenë krimi pa leje. Në një deklaratë të dielën, CNN tha se atyre u ishte dhënë leja nga zyrtarët e Departamentit të Shëndetit të Tajlandës që punonin në vendngjarje, por zbuluan më pas ‘se këta zyrtarë nuk ishin të autorizuar për të dhënë këtë leje’.
Policia tajlandeze hodhi poshtë akuzat, por gjobiti Coren dhe Hodges për punë si gazetarë gjatë kohës që kishin viza turistike. Dyshja ranë dakord vullnetarisht të largoheshin nga Tajlanda, raportoi BBC.
Policia hetoi incidentin pasi Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Tajlandës dënoi veprimet e gazetarëve.
Në mediat sociale, komentuesit tajlandez ishin të pakënaqur me deklaratën e CNN dhe faljen e Coren.