Vendosni fjalën kyçe....

Luçiano Boçi: Policia tentoi të dëmtonte protestën e sotme në Elbasan


Në protestën e mbajtur sot në Elbasan, nën kryetari i PD-së Luçiano Boçi ka folur për mediat ku ka akuzuar Policinë se ka bllokuar aksin kryesor rrugor për të bërë protestën të dukej sikur s’ka funksionuar.

“Sot ishim dëshmitarë të bllokimit të aksit kryesor nga policia që si e si të dukej sikur protesta nuk kishte funksionuar. Policia shumë e angazhuar, shumë pasionante. Forca të tëra Policie, edhe Shpiponja ishin të instaluara në kryqëzimet kryesore për të penguar qarkullimin dhe për të ulur atë pjesën e shfaqjes së zemërimit që realisht është sa i madh në tavolina, sa i madh në takimet tona, po kaq i madh edhe sot, mos shihni që qytetarët nuk bërtasin, zemërimi nuk është bërtitje, nuk është thërritje por ka edhe forma të tjera reaguese siç është vota, siç është forma e protestës së sotme.”- u shpreh Luçiano Boçi.

Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat tha se arsyeja e këtij tubimi nuk është vetëm rritja e çmimit të naftës por edhe rritja e pasigurisë në vend dhe e shpopullimit.

Boçi tha se rritja e çmimit të nafës nuk është vetëm abuzim, por është vjedhje e hapur pasi qeverisë sipas tij i duhen paratë duke qenë se ka përpara një fushatë zgjedhore.

“Arsyet janë të ditura, nuk është vetëm rritja e naftës, është rritur pasiguria e shpopullimi. Të parët sot janë qytetarët e Elbasanit, jo qëllimisht kemi zgjedhur Elbasanin pasi ka revoltën ndaj padrejtësisë. Nuk është vetëm abuzim, por është vjedhje e hapur rritja e çmimit të naftës.

Shihet qartë që qeveria sa herë ka nevojë për para abuzive ti çojë në xhepat e dikujt apo në xhepat e saj, ua rrëmben qytetarëve përmes këtyre formave siç është rritja e karburanteve që depoziton miliona euro në arkën e shtetit nëpërmjet TVSH-së, që nuk rikthehen më si shërbime.

Nuk ka ndihma për pensionistët e studentët dhe shtresat në nevojë dhe ta mendosh që Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve. Jo vetëm në raport me pagën, por çmimi është më i larti në rajon.

Kur shikon që çmimet në bursë bien në mënyrë progresive dhe në vend ngrihen në mënyrë të menjëhershme, rritet revolta. Ka një fushatë zgjedhore përpara dhe i duhen miliona euro për të blerë vota dhe për të organizuar fushatat.

I bëj thirrje qytetarëve të na bashkohen pasi nuk ka më kohë për të humbur, kjo revoltë është e domosdoshme. Jemi të gatshëm si PD të jemi pranë qytetarëve, t’i drejtojmë pse jo, por edhe t’i mbrojmë ndaj abuzimeve jo vetëm ekonomike por edhe në formën e abuzimeve policore.” –tha Boçi.