Vendosni fjalën kyçe....

Manja takohet me homologen e tij në Kosovë: Marrëveshje për dënimet alternative dhe profesionet e lira


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me homologen e tij në Kosovë, Albulena Haxhiu.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Drejtësisë, Manja dhe Haxhiu folën për një sërë çështjesh me interes të përbashkët si dhe për thellimin e bashkëpunimit.

“Një nga pikat më të rëndësishme ishte përfundimi i një marrëveshjeje për njohjen dhe zbatimin e dënimeve alternative, e cila do të mundësojë që shtetasit kosovarë të liruar me kusht nga organet kompetente të Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe anasjelltas.

Po ashtu u ra dakord për jetësimin e tre nismave përmes së cilave garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe ndërmjetësuesit në shtetet përkatëse, si dhe njohja e ndërsjellë e provimit të jurisprudencës. Kjo do të mundësojë që avokatët e ndërmjetësuesit të shtrijnë aktivitetin profesional në të dyja vendet, ashtu si edhe njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës, si kriter për zhvillimin e karrierës profesionale në fushën e drejtësisë.”- thuhet në njoftim.

Në një konferencë të përbashkët për mediet, Manja i është përgjigjur edhe një pyetjeje mbi bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.

“Unë nuk kam çfarë i shtoj asaj që ka thënë Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe se çfarë ka thënë Parlamenti i Shqipërisë me rezolutën e fundit për rezolutën e Dik Martit. Sigurisht që si ish-prokuror edhe në kohën e luftës në Kosovë dhe akuzave që u ngritën, apo më pas si kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dik Martit, mund të them shumë, por nuk është as koha, as vendi.”– u shpreh Manja.