Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të Moldavisë, Kishinau, për të protestuar ndaj kostos së lartë të jetesës dhe politikave të qeverisë, si dhe atyre të Presidentes Maia Sandu.
Protesta, e organizuar nga Partia Shor opozitare, dënoi politikat shtrënguese të qeverisë, kërkoi dorëheqjen e Sandu dhe kabinetit dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare.
Opozita kërkon që qeveria t’u japë ndihmë financiare qytetarëve për të lehtësuar barrën e rritjes së çmimit të energjisë dhe gazit, të cilat janë rritur me gati shtatë herë nga viti i kaluar, sipas mediave.
Deri në 60,000 njerëz morën pjesë në protestë, sipas Dinu Turcanu, anëtar i Partisë Shor dhe kryetar i rajonit Orhei të Moldavisë. Ai pretendoi se midis 6,000 dhe 9,000 njerëz nga rajone të ndryshme nuk mund të merrnin pjesë në protestë sepse policia bllokoi rrugët që të çonin në Kishinau.
Policia tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte nga 5,000 deri në 6,000 ndërsa autoritetet moldave akuzuan opozitën për ‘financimin’ e protestave duke paguar njerëzit për të marrë pjesë.
Udhëheqësi i opozitës Ilan Shor, i cili u arratis në Izrael pasi u shpall fajtor për përvetësim të mbi 1 miliard dollarëve nga buxheti i shtetit në 2017, iu drejtua protestës me videomesazh nga Izraeli, duke kërkuar dorëheqjen e Sandu dhe uljen e çmimeve të energjisë.
Zhvillimet vijnë ndërsa Evropa lufton për të përballuar krizën e vazhdueshme të energjisë, e shkaktuar pjesërisht nga sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në qershor, Moldavia mori statusin e kandidatit në BE.