Vendosni fjalën kyçe....

“Politikani më pak i pëlqyer” – Meta komenton sondazhin: S’jam i shqetësuar për popullaritetin tim, por për gjendjen e vendit


Në një konferencë për mediet, ish-presidenti dhe kryetari i PL-së Ilir Meta u pyet për sondazhin e “Barometrit” që e nxorri atë si politikanin më pak të pëlqyer në vend.

Meta tha se këto sondazhe ishin të orientuara me paratë e inceneratorëve dhe shtoi se nuk është i shqetësuar për popullaritetin e tij, por për gjendjen e vendit.

“Tani këto janë sondazhe të kombinuara dhe nga ata që financohen nga paratë e inceneratorëve.
Për mua këtë sondazh e ka shpall Rama që ditën që kam dalë nga Presidenca. Rama e di mirë se mbi 80% e Shqipërisë po zien nga padurimi për ta shporrur një herë e mirë atë. E di mirë po ashtu se nëse ka një forcë politike ku duart e tij priten shumë shpejt është Partia e Lirisë se te të tjerat i ka futur duart ai direkt apo indirekt.

Parrulat se do vijnë të rinj vjen nga inceneratorët. Po të mos kisha popullaritet nuk do orkestroheshin kaq shumë sulme e veprimtari kriminale nga ana e shtetit.

Unë i besoj sondazhit të përditshëm në raport me qytetarët dhe atij të zgjedhjeve vendore ku PL jam i sigurt do arrijë një rezultat të jashtëzakonshem e do japë një kontribut për fitoren e gjithë opozitës nëse opozita e dëshiron këtë fitore. Nuk jam fare i shqetësuar për popullaritetin tim por për gjendjen ku është vendi, që është si pasojë e Edi Ramës.”- tha Meta.

Në sondazhin e parë të publikuar nga emisioni “Barometri” i Jonida Shehut, u zbulua lideri më i preferuar dhe më pak i preferuar i shqiptarëve (kliko këtu).

Duket se kryeministri Edi Rama, pavarësisht zhgënjimeve të shumta sërish mbetet më i pëlqyer në krahasim me kundërshtarët e tij… por surprizë ishte fakti që më zhgënjyes rezultoi ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Madje më lart tij qëndronin edhe Erion Veliaj, Lulzim Basha e Enkelejd Alibeaj veç e veç.