Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet kibernetike, Shqipëria i kërkon Rusisë, Kinës e Britanisë të bllokojnë faqet që publikojnë të dhënat


Gjykata e Tiranës u ka kërkuar autoriteteve të Kinës, Rusisë e Britanisë që të mos lejojnë publikimin e të dhënave të marra nga sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë.

Vendimi është marrë pasi nga hetimet është zbuluar se faqet që nxjerrin të dhënat janë me IP në Hong Kong, Britani e Rusi.

“Menjëherë më datë 19.07.2022, me vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë është urdhëruar sekuestrimi i këtyre llogarive në dy rrjete sociale të ndryshme dhe si pasojë e këtij vendimi kompanitë përkatëse kanë reaguar duke mbyllur aksesin në këto llogari.

Si pasojë e mos aksesimit, autorët e sulmit kibernetik hapën një faqe tjetër e cila u përdor për të shpërndarë mesazhe të ndryshme në lidhje me sulmin e kryer apo publikimin e të dhënave që janë vjedhur. Në ditët në vijim dhe aktualisht nga kjo faqe si edhe nga llogaritë nga aplikacionet e komunikimeve në internet si Telegram etj, po postohen dokumente të Policisë së Shtetit të cilat përbëjnë sekret hetimor.

Postimi i të dhënave, të cilat dyshohen të jenë të hakuara dhe të kopjuara nga sulmi kibernetik i ndodhur ndaj sistemeve kompjuterike të AKSHI-it si dhe sistemeve kompjuterike të Ministrisë së Brendshme, kryhet nga faqja online me emërtimin “HomelandJustice” dhe me link https://homelandjustice.cx/ si dhe nga profili në rrjetin social “Telegram” me emërtimin “JusticeHomeland1” dhe me link  https://t.me/JusticeHomeland1.” Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këto faqe kanë IP ne Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Një faqe ne Telegram e emërtuar HomelandJustice ka publikuar prej kohësh materiale të ndryshme të cilat dyshohet se janë marrë në sulmin kibernetik të 15 korrikut 2022 e 10 shtatorit 2022.

Në disa deklarata, kryeministri Rama ka pohuar se të dhënat e qytetarëve e ato shtetërore janë të sigurta dhe se Shqipëria u ka rezistuar si duhet sulmeve kibernetike.

Në një dalje të jashtëzakonshme për mediat pak javë më parë ai tha se pas sulmit qëndron Irani duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin e duke përzënë stafin e ambasadës iraniane në Tiranë.