Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi sulmon Peleshin: Tender 600 mijë euro për 8 vajza hostess që ofrojnë shërbime çlodhjeje për 3 orë


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka sulmuar përsëri sot ministrin e Brendshëm Niko Peleshin lidhur me tenderin me vlerë 600 mijë euro për shërbime çlodhjeje, kulturore e sportive.

Blushi thotë se skandali është thelluar pasi në të përfshihet pagesa e 8 vajzave hostess që ofrojnë shërbime çlodhjeje për tre orë.

Zyrtari i PL-së thotë se shpërdorimi i taksave të shqiptarëve, në kulmin e krizës ekonomike, po arrin nivele abuzimi të paimagjinueshme.

Ai kërkon anulimin e menjëhershëm të tenderit.

Çfarë shkruan Tedi Blushi:

Thellohet skandali i tenderit 600 mijë euro të Ministrit Peleshi: Do paguajmë 8 vajza hostess që ofrojnë “shërbime çlodhjeje” për tre orë.

Shpërdorimi i taksave të shqiptarëve, në kulmin e krizës ekonomike, po arrin nivele abuzimi të paimagjinueshme.

Të tjera fakte skandaloze zbulohen nga tenderi që denoncuam pak kohë më parë, i Ministrisë së Mbrojtjes, që ka vendosur të shpenzojë 600 mijë euro për “shërbime çlodhjeje”.

Referuar dokumentave të këtij prokurimi të turpshëm mësohet se me këtë fond të majmë, Niko Peleshi do paguajë edhe 8 vajza hostess me uniformë, për një shërbim 3 orësh (dokumenti bashkëlidhur) në ahengun e “tallavasë” që do të organizojë Ministria e Mbrojtjes, në funksion të të cilit do të blihen edhe 700 tapete e mokete.

Ky tender i turpshëm, simbol i babëzisë, vlera e të cilit është e barabartë me pagën e 575 pedagogëve që prej muajsh janë në protestë për një rrogë dinjitoze, duhet anuluar urgjentisht, veçanërisht në kushtet kur shqiptarët po luftojnë sot për bukën e gojës! Është më shumë se një krim i shëmtuar!