Vendosni fjalën kyçe....

Tritan Shehu ngre pyetjen: “A po e shet Rama Italinë për Arabinë Saudite?”


“A po e shet Rama Italinë për Arabinë Saudite?” – kjo është pyetja që deputeti i PD-së Tritan Shehu i drejton sot qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Kjo sepse siç shkruan Tritan Shehu, në vitin 2030 do të zhvillohet një EXPO ndërkombëtare shumë prestigjioze dhe ndër vendet kryesore kandidate pritëse është Italia dhe Arabia Saudite. Por që Shqipëria sipas tij po ndërron kursin e saj si “skuth” për të votuar për Arabinë Saudite dhe jo për Italinë siç i ka premtuar shtetit fqinj.

“Po e ‘shet’ Rama Italinë për Arabinë Saudite?!
Një pyetje kjo direkte për këtë qeveri.
Në vitin 2030 do të zhvillohet një EXPO ndërkombëtare shumë prestigjioze.
Ndër vendet kryesore kandidate pritëse për këtë aktivitet të rëndësishëm është Italia… është edhe Arabia Saudite.

Vendimi do të merret me një votim të mbas disa muajsh.
Shqipëria në mënyrën më të natyrshme e racionale i premtoi Italisë, këtij partneri strategjik, se do të votojë për atë.
Por më tej siç duket fillojnë të fryjnë erëra të tjera nga Lindja, edhe me dërgesa materiale joshëse për këtë regjim.
Dhe sipas disa zërave të besueshëm Shqipëria si ‘skuth’ po ndërron kursin e saj:
Ajo po bëhet gati të votojë për Arabinë Saudite në vend të Italisë.
Nqs kjo është e vërtetë, kemi të bëjmë me një veprim ndesh me interesat madhore të vendit tonë.”– shkruan Shehu.

Sipas tij, ky është një demonstrim i devijimit të kursit Perëndimor të Shqipërisë drejt Lindjes.
Shehu shton se do të kërkojë në Parlament shpjegime nga qeveria për këtë.

“Në fakt kjo nuk mund të jetë e lidhur vetëm me ‘dërgesat’ lindore drejt Tiranës.
Këtu kemi të bëjmë dhe me një tjetër demonstrim të devijimit të kursit Perëndimor të Shqipërisë drejt Lindjes.
Kemi të bëjmë me një hap të rrezikshëm largimi jo vetëm nga Italia, por dhe nga Europa e Perëndimi.
Kemi të bëjmë me një veprim, që kërkon të na largojë nga demokracia perëndimore, për të na çuar drejt Lindjes, aty ku ka vend për autokratët.
Kjo Qeveri duhet të sqarojë Parlamentin, ku unë do kërkoj shpjegime, opinionin tonë, si dhe partnerët europianë, në radhë të parë Italinë mike, për sa po ndodh.”– shton Shehu. Postimin ai e shoqëron me një foto ku shihet duke biseduar me kryeministren e re të zgjedhur të Italisë, Giorgia Meloni.