Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) tha se do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet. Përmes një deklarate udhëheqësit e këtyre vendeve thanë se çdo përdorim nga Rusia i armëve bërthamore do të përballej me pasoja të rënda.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore dhe do të qëndrojmë me vendosmëri me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas deklaratës, G7-a e ka siguruar Presidentin ukrainas, Volodmyr Zelenskiy se “mbesim të palëkundur në angazhimin tonë për të ofruar mbështetjen që i nevojitet Ukrainës për të siguruar sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.”
Deklarata dënoi sulmet e fundit me raketa ruse në Ukrainë, duke vënë në dukje se sulmet ndaj popullatës civile përbënin një krim lufte.
“Ne do të kërkojmë llogari nga presidenti rus Putin dhe ata që janë përgjegjës”.
Udhëheqësit kritikuan gjithashtu “retorikën e papërgjegjshme bërthamore” të Rusisë.
“Ne dënojmë hapat e qëllimshëm përshkallëzues rusë, duke përfshirë mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve dhe retorikën e papërgjegjshme bërthamore, e cila po vë në rrezik paqen dhe sigurinë globale. Ripohojmë se çdo përdorim i armëve kimike, biologjike ose bërthamore nga Rusia do të përballet me pasoja të rënda”, thuhet në deklaratë.