Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e taksistit në Fushë Prezë në 2020-ën/ Apeli vendos 14 vjet e 8 muaj burg për Sajmir Sherën, 10 vjet për Arsil Sherën


Apeli ka dhënë vendimin për Sajmir dhe Arsil Sherën, dy vëllezërit nga Tirana të cilët akuzohen se vranë taksistin Abdulla Budlla në Fushë Prezë dy vite më parë.

Kështu Sajmir Shera përfundimisht dënohet me katërmbëdhjetë vjet e tetë muaj burgim. Ndërsa vëllai i tij dënohet me dhjetë vjet burgim.

Ngjarja për të cilën dy vëllezërit akuzohen ndodhi në 3 gusht të 2020-ës në Fushë Prezë, ku 71-vjeçari Abdulla Budlla, baba i tre djemve dhe i një vajze u ekzekutua me 7 plumba ndërsa qëndronte pranë taksisë së tij.

Dy vëllezërit e kanë pranuar krimin dhe kanë treguar se konflikti me të moshuarin ka nisur pasi ai ngacmonte një të afërmen e tyre. Ata pretendojnë se i kanë kërkuar 71-vjeçarit të mos i afrohet më asaj dhe të mos i shkojë në shtëpi pa praninë e tyre, por ai nuk është bindur.

VENDIMI I GJYKATËS SË APELIT
Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:46, në rrugën nacionale “Fushë Krujë – Vorë”, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale A.B., i cili punonte si taksist. Rezulton se autorët e vrasjes janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale S.Sh., dhe A.Sh., Referuar interesimit të mediave, ju informojmë si më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurve me iniciale S.Sh dhe A.Sh, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278 të K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 288, datë 09.02.2022 ka vendosur:

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me njëzet e një vjet burgim.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni parashikuar nga Neni 278 prg.1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me pesë vjet burgim.
-Në zbatim të nenit 55 te K.Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.Sh, të dënohet me njëzet e dy vjet burgim.
-Në aplikim të Nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit S.Sh, i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënohet katërmbëdhjetë vjet e tetë muaj burgim.
2.Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Sh, për kryerjen e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me pesëmbëdhjetë vjet burgim.
-Në zbatim të Nenit 406 te K.Pr.Penale, perfundimisht i pandehuri A.Sh të dënohet me dhjetë vjet burgim.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim si dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale S.SH, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e dënimit nën kufijtë e parashikuar me ligj.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Mihali dhe anëtarë znj. Alma Ahmeti dhe z.Fatri Islamaj, me vendimin nr. 944 , datë 11.10.2022 vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit nr. 288 datë 09.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Tiranë, 11.10.2022
GJYKATA E APELIT TIRANË