Vendosni fjalën kyçe....

Anglia gati të sfidojë FIFA-n për shiritin LGBTQ në botërorin e Katarit – Media


Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, do e mbajë shiritin ‘One Love’ që përfaqëson komunitetin LGBTQ në Kupën e Botës muajin e ardhshëm edhe nëse FIFA e ndalon këtë gjë.

Sulmuesi i Tottenham Hotspur do e mbajë shiritin në krahë së bashku me kapitenët e nëntë vendeve të tjera evropiane – Holandës, Belgjikës, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Norvegjisë, Suedisë, Zvicrës dhe Uellsit – të cilët po mbështesin një nismë sezonale kundër diskriminimit.

Tre javë më parë, shoqatat kombëtare të futbollit të vendeve i bënë një kërkesë FIFA-s për lejimin e vendosjes së shiritit në ndeshjet e Kupës së Botës si pjesë e Grupit të Punës të UEFA-s për Katarin.

FIFA ende nuk ka dhënë bekimin e saj për objektet që përdoren në Katar, por Shoqata Angleze e Futbollit do e injorojë një ndalim të FIFA-s nëse ai vendoset dhe do paguajë çdo gjobë përkatëse, sipas mediave në Mbretërinë e Bashkuar.

Vendet e tjera evropiane gjithashtu do ndjekin qasjen e Anglisë dhe do mbajnë shiritat në krahë si pjesë e fushatës që bën thirrje për përfshirje dhe luftë kundër diskriminimit.

Nisma ‘One Love’ u krijua në Holandë dhe është një shtysë evropiane për përmirësimin e të drejtave të njeriut në Katar, ku emigrantët thuhet se janë keqtrajtuar gjatë ndërtimit të stadiumeve për Kupën e Botës.

Duke qenë se logoja e shiritit është një zemër me ngjyrë ylberi, ajo është pranuar si një simbol i mbështetjes edhe për komunitetin LGBTQ.

Megjithatë, për shkak se homoseksualiteti është i paligjshëm në Katar, FIFA mund ta ndalojë atën në një përpjekje për të mos shqetësuar ndjeshmëritë lokale.

Kane mbajti shiritin për herë të parë në ndeshjet e Ligës së Kombeve të Anglisë kundër Italisë dhe Gjermanisë muajin e kaluar dhe tha se ishte ‘i nderuar të bashkohej me kolegët e mi kapitenë të ekipit kombëtar në mbështetjen e fushatës së rëndësishme One Love’.

Sky Sports raporton se një delegacion nga Grupi i Punës i UEFA-s për Katarin do takohet me FIFA-n në Zyrih të mërkurën për të kërkuar një përditësim mbi kërkesën e tyre për përdorimin e shiritit.

Delegacioni dëshiron gjithashtu të diskutojë ngritjen e një fondi kompensimi për punëtorët emigrantë dhe familjet e tyre dhe krijimin e një qendre të mirëqenies për punëtorët emigrantë në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Kane dhe Anglia nisin fushatën e tyre në Katar 2022 kundër Iranit në Grupin B më 21 nëntor.