Vendosni fjalën kyçe....

Dëmtohet tubacioni kryesor rus që çon naftë në Gjermani – Polonia


Operatori polak PERN ka thënë se ka zbuluar një rrjedhje në seksionin e tubacionit Druzhba, i cili furnizon naftën ruse në Gjermani.

Rrjedhja u zbulua vonë të martën nga sistemet e automatizuara në një nga dy vargjet e tubacionit, rreth 70 kilometra nga qyteti Plock në Poloninë qendrore, tha kompania në një deklaratë të mërkurën.

Gjysma e dëmtuar është fikur menjëherë dhe vargu tjetër vazhdon të funksionojë normalisht, tha kompania.

“Në këtë pikë, shkaqet e incidentit nuk dihen.” – tha PERN, duke shtuar se stafi i saj dhe zjarrfikësit u vendosën në vend për të vlerësuar gjendjen dhe për të siguruar zonën.

Tubacioni Druzhba është një nga rrjetet më të mëdha të transportit të naftës në botë, që përfshin rreth 4,000 km dhe sjell naftë nga Rusia në Ukrainë, Bjellorusi, Poloni, Hungari, Sllovaki, Republikën Çeke, Austri dhe Gjermani.

Rrjedhja në tubacionin Druzhba pason shpërthimet që u zbuluan në fund të shtatorit në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2 në Detin Baltik, që lidhin Rusinë me BE-në nëpërmjet Gjermanisë. Incidenti konsiderohet gjerësisht si rezultat i sabotazhit.