Vendosni fjalën kyçe....

Hoqi ‘bluzën e bardhë’ për muzikën e synon politikën, kush është kreu i Partisë së Birrës në Austri, u rendit i treti në garën presidenciale


Në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Austri, presidenti i tanishëm Alexander Van der Bellen arriti të siguronte një mandat të dytë. Ish-lideri i të Gjelbërve mori rreth 56% të votave duke shmangur balotazhin.

Rivali i tij kryesor, Walter Rosenkranz nga Partia e Lirisë mori vetëm 18% të votave, Domonik Wlazny u rendit i treti me 8.31% të votave. Është pikërisht ky i fundit, i cilësuar si fenomeni vjenez që mori vëmendjen mediatike, jo vetëm për atë që përfaqëson politikisht, po edhe për figurën kontroverse.

Deri para pak muajsh emrin e tij të vërtetë e dinte vetëm elita politike. ‘Dr. Dominik Wlazny’ ka qenë më herët si emër në fletën e votimit në zgjedhjet e këshillit bashkiak të Vjenës 2020, por kandidati kryesor i Partisë së Birrës njihej me emrin e tij artistik Marco Pogo, muzikant dhe vokalist i grupit punk ‘Turbobier’. Asokohe Pogo u shfaq me këngën e fushatës ‘Schiach an Einebrenna’, dhe në rolin e yllit të rokut.

Wlazny lindi në Vjenë në vitin 1986. Që në moshë të vogël i binte kitarës ndërsa në moshën 16 vjeçare nisi të bënte muzikë profesionalisht. Në vitin 2003 ai u bë vokalist dhe basist i ‘The Gogets’ dhe mori emrin e tij artistik, Marco Pogo.

Në vitin 2005, Wlazny nisi studimet për mjekësi duke u diplomuar në vitin 2012. Megjithatë mjekësia nuk ishte ‘dashuria’ e tij. Në vitin 2014 ai themelon Partinë e Birrës ndërkohë që ishte vokalisti i grupit punk rock Turbobier. Kjo përkoi me publikimin e këngës Die Bierpartei në albumin debutues të Turbobier.

Partia mori fillimisht pjesë në zgjedhjet e vitit 2019, duke drejtuar një listë në Vjenë për zgjedhjet legjislative të Austrisë 2019. Wlazny ishte kandidati kryesor i parties. Ata fituan pak më pak se 5000 vota dhe nuk fituan asnjë mandat.

Partia kandidoi përsëri në zgjedhjet shtetërore të Vjenës 2020 dhe megjithëse nuk fitoi vende në këshillin e qytetit me 1.8% të votave, partia fitoi njëmbëdhjetë vende në këshillat e rretheve të ndryshme.

I njohur më shumë me emrin e artit Pogo, e mori famën si muzikant. Wlazny mori statusin e personazhit të famshëm në mediat sociale shumë përpara kandidaturës së tij për president në zgjedhjet e fundit. Në Instagram, Partia e Birrës ka 56000 ndjekës ndërsa llogaria personale e Wlazny-t ka 69000 mijë të tillë, më shumë ndjekës sesa dy nga partitë kryesore të vendit, ÖVP e SPÖ së bashku.

Në zgjedhjet e fundit presideciale, Wlazny arriti një rezultat mbresëlënës duke u renditur i tret me 8.31% të votave. Falë rreth 807,000 votave postare, ai madje arriti të kapërcejë avokatin Tassilo Wallentin.

Pas rezultatit surprizë, mbështetësit e tij festuan deri në mesnatë. Ish-kancelari i SPÖ-së, Christian Kern, ishte një nga mbështetësit e heshtur të Wlazny-t në zgjedhjet e para pak ditëve. Gjatë gjithë karrierës së tij në politikë, Wlazny alias Pogo është trajtuar e quajtur si kandidati argëtues, megjithatë ai ka punuar së fundmi që të ndryshojë imazhin pasi është shprehur që kërkon të merret seriozisht.

Krahasuar me fushatat e mëparshme, kandidimi presidencial i Wlazny u karakterizua si serioz e profesional. Ai propozoi një proces të ri vlerësimi të bazuar në kompetenca për ministrat federalë dhe krijimin e një ‘ministrie të ardhshme’ për të siguruar planifikimin afatgjatë.

Ai bëri thirrje për më shumë konsultime dhe llogaridhënie me ekspertë në qeveri dhe për futjen e kurseve të edukimit mediatik në kurrikulën shkollore. Wlazny sugjeroi që presidenti të vepronte më shumë si një udhërrëfyes moral dhe foli për nevojën për veprime më të mëdha në lidhje me inflacionin, kujdesin shëndetësor, energjinë e rinovueshme, refugjatët dhe arsimin.

Fushata e rezultatet e fundit paralajmërojnë se Wlazny kërkon të hyjë seriozisht në politikë, jo më si ‘kandidati argëtues’, edhe pse nuk pritet të heqë dorë krejtësisht e menjëherë nga ajo që ka përfaqësuar deri tani mes mbështetësve të tij.