Vendosni fjalën kyçe....

Joe Biden: Nuk besoj se Putini do përdorë armë taktike bërthamore


Presidenti amerikan Joe Biden i tha CNN në një intervistë se ai nuk pret që udhëheqësi rus Vladimir Putin të përdorë armë taktike bërthamore në konfliktin me Ukrainën.

“Unë nuk mendoj se do ta bëjë”- tha Biden kur u pyet për mundësinë e përdorimit të një arme bërthamore taktike. “Unë mendoj se është e papërgjegjshme që ai të flasë për këtë.”– shtoi ai.

Presidenti amerikan u shpreh se ky skenar mund të çojë në “thjesht një rezultat të tmerrshëm”.

Biden beson se përdorimi i armëve taktike bërthamore mund të dalë shpejt jashtë kontrollit.

“Gabimet bëhen. Dhe llogaritja e gabuar mund të ndodhë, askush nuk mund të jetë i sigurt se çfarë do të ndodhte dhe mund të përfundojë në Harmagedon.”- tha ai.

Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi Biden tha se për herë të parë që nga kriza e raketave Kubane, bota po përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë nga përdorimi i armëve bërthamore.

Biden tha se Putin është një “aktor racional”, i cili bëri një llogaritje të gabuar kur vendosi të pushtojë Ukrainën.

Po ashtu Biden tha se do të kishte “pasoja” për Arabinë Saudite pasi ajo u partnerizua me Moskën kur njoftoi një ulje të prodhimit të naftës, një veprim që mund të shkaktojë rritjen e çmimeve të gazit me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.