Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka denoncuar tenderin e qevrisë për blerje sendesh shërbimi.
Blushi thotë se qeveria po shpërdoron taskat për garantimin e luksit të Edi Ramës dhe oborrit të tij.
Sipas tij tenderi i Shërbimeve qeveritare bëhet për blerjen e tantellave, kupave të akulloreve, shezlongeve gotave kristali apo edhe mermerëve për sapunë.
Ndërkohë sipas Blushit qytetarët në nevojë dhe nëpunësit e administratës marrin thërrime.
“Mijëra euro taksa për luksin e shfrenuar të Edi Ramës: Tendera për blerje tantellash, kupa akulloresh, gota kristali, mermer për sapunë, shezlong e çadra plazhi
Kur qindra mijëra shqiptarë luftojnë çdo ditë për të mbijetuar, Qeveria keqpërdor me babëzi taksat e qytetarëve për t’i garantuar Edi Ramës dhe oborrit të tij një jetesë luksi.
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare vetëm këtë muaj ka shpallur katër tendera (dokumentat bashkëlidhur) për blerje krejtësisht të panevojshme dhe fyese, nga tantellat deri në dyshekë plazhi (jemi në muajin tetor) për shtëpitë e tij të pushimit.
Ndërkohë që për qytetarët në nevojë dhe nëpunësit e administratës ndan ndihma ekonomike me ‘thërrime’, të moshuarve nuk u rrit pensionet dhe pedagogëve në protestë u thotë se Buxheti i Shtetit nuk ka para për t’u rritur rrogat, Edi Rama vazhdon shpenzimet marramendëse për t’i garantuar vetes të tilla ‘salltanete’.
Kryeministri u kërkon sakrifica shqiptarëve në këtë kohë krize por vazhdon të shpërdorojë frikshëm paratë publike për luksin e vet.
Ndaloni urgjentisht prokurimet kriminale dhe ndani këto fonde për shtresat më në nevojë!”-shkruan Blushi.