Vendosni fjalën kyçe....

Projekt-paketa fiskale 2023 parashikon gjoba rekord deri në 13 mijë euro për bizneset e mëdha


Nga janari 2023, tatimpaguesit e mëdhenj (subjekt i tatimit mbi fitimin) nëse kapen nga organet tatimore duke bërë furnizime pa fatura për herë të dytë do të gjobiten me 1.5 milionë lekë (rreth 13 mijë euro), ose 10 herë më shumë se në legjislacionin aktual, që deri tani ishte 150 mijë lekë.

Kjo është gjoba më e lartë që është parashikuar ndonjëherë për bizneset në historinë e pas tranzicionit.

Propozimi u bë nga Ministria e Financave në projekt paketën fiskale 2023, e cila parashikon një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore, i cili synon dhjetëfishim të gjobave për mos- lëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3 të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ. Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.”

Sakaq pika 3 germa A në nenin 123 i procedurave tatimore aktualisht thotë: “Për tatimpaguesin, i cili, për herë të dytë brenda vitit kalendarik, kryen një shkelje, merren edhe masat e mëposhtme: 

gjobë prej 50 000 lekësh për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël pa TVSH-në; 100 000 lekë, për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me TVSH-në; 150 000 lekë, për tatimpaguesit e tjerë të regjistruar për tatim fitimi dhe TVSH-në”.

Në këtë nen ndryshon penaliteti për biznesin i madh i cili dhjetëfishohet. Me ketë ndryshim Ministria e Financave synon të disiplinojë bizneset për përdorimin e faturave fiskale.

Ministria e Financave synon që të aplikojë gjobën e dhjetëfishuar tek bizneset e mëdha dhe nëse e përsërisin shkeljen.

Sipas ligjit aktual të Procedurës Tatimore, Personi, i cili është subjekt i lëshimit të faturës ose i faturës shoqëruese, në përputhje me legjislacionin në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit dhe për TVSH-në, kryen shkelje nëse;

-Nuk lëshon faturë për çdo furnizim të mallrave ose të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë;

-Nuk lëshon faturë për çdo pagesë të bërë përpara furnizimit të mallit ose përpara përfundimit të shërbimit

-Nuk lëshon faturë për çdo pranim të mallrave ose të ofrimit të shërbimit, nëse është subjekt i “vetëfaturimit”;

-Nuk lëshon faturë në kohën e furnizimit të mallrave ose shërbimeve ose brenda afateve kohore të parashikuara që përbëjnë përjashtim të këtij rregulli;

-Lëshon faturë që nuk përmban të gjitha elementet e përcaktuara të faturës; dh) faturën që lëshon për pagesat me para në dorë dhe, në raste të veçanta, faturën për pagesat pa para në dorë, nuk i shtyp në letër e nuk zbaton procedurën e fiskalizimit, si dhe nuk i dorëzon faturën blerësit në kohën e furnizimit;

-Shuma e parave në dorë të arkëtuara mbi maksimumin e arkës ose nëse shuma totale, në rastet e përcaktuara, nuk depozitohet në një llogari të hapur në bankë, jo më vonë se fundi i ditës së ardhshme të punës;

Nuk lëshon faturë shoqëruese për çdo lëvizje të mallrave nga një vend në tjetrin pa tjetërsim të pronësisë ndaj mallrave.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 25 000 lekësh.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 50 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar.

Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në dënohen me gjobë prej 75 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor