Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja po përfiton nga kriza energjetike e BE-së, po na e shet gazin me katërfishin e çmimit – Ministri francez


SHBA-të nuk duhet të lejohen të dominojnë tregun global të energjisë ndërkohë që BE-ja vuan nga pasojat e konfliktit në Ukrainë, ka paralajmëruar ministri francez i Financave Bruno Le Maire.

“Konflikti në Ukrainë nuk duhet të përfundojë në dominimin ekonomik amerikan dhe një dobësim të BE-së.” – tha ai, duke folur në Asamblenë Kombëtare të hënën.

Le Maire tha se është e papranueshme që Uashingtoni ‘të shesë gazin e tij të lëngshëm natyror me katër herë çmimin që vendos për industrialistët e vet’, duke shtuar se ‘dobësimi ekonomik i Evropës nuk është në interesin e askujt’.

“Ne duhet të arrijmë një marrëdhënie më të ekuilibruar ekonomike për çështjen e energjisë midis partnerëve tanë amerikanë dhe kontinentit evropian.” – tha Le Maire.

Përpara konfliktit në Ukrainë, Rusia ishte furnizuesi më i madh i gazit në BE, përgjegjëse për rreth 45% të importeve të gazit të bllokut. Megjithatë, për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës në muajt e fundit, furnizimet me gaz rus në BE janë ulur ndjeshëm.

Duke u përballur me një krizë energjetike, vendet e BE-së kanë nxituar të mbushin objektet e tyre të magazinimit. Vendet e magazinimit janë të mbushura kryesisht me gaz natyror të lëngshëm (LNG) dhe tani për tani janë në nivelet më të larta sezonale që nga të paktën 2016, sipas të dhënave të përpiluara nga Bloomberg.

Megjithatë, importet e LNG nga jashtë kushtojnë shumë më tepër se gazi i furnizuar nëpërmjet tubacionit nga Rusia sipas kontratave afatgjata dhe çmimet e energjisë në bllok vazhdojnë të rriten.

BE ka konsideruar vendosjen e një kufiri në çmimet e gazit natyror për të gjithë furnizuesit, por një numër vendesh janë kundër kësaj.

Norvegjia, një shtet jo anëtar i BE-së, por një partner në Zonën Ekonomike Evropiane (ZEE) dhe një nga furnizuesit kryesorë të gazit të BE-së, kohët e fundit paralajmëroi se një hap i tillë mund të përkeqësojë situatën, duke i detyruar eksportuesit të devijojnë furnizimet në tregje të tjera.