Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i Policisë jep informacionin zyrtar pas vrasjes së dyfishtë në Klos: Vetëvritet i dyshuari


Të tjera zhvillime të rënda vijnë nga Klosi ku një tjetër person ka ndërruar jetë. Policia ka njoftuar se është vetëvrarë autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të ndodhur pasditen e sotme, Fiqiri Mjeshtri.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen janë marrë në komisariat dy persona.

“Sot në orën 14:15 minuta në Klos ka ndodhur në ngjarje e rëndë, ku ngelen të vrarë Ilir dhe Kenado Shira. Të plagosur janë Renato dhe Eglantin Hasula. Të plagosurit janë nisur në Tiranë. U bë e mundur kapja e tre personave, Fiqiri, Fatmir dhe Besnik Mjeshtri. Fiqiri Mjeshtri ka ndërruar jetë, është vetëvrarë.”- tha drejtori i Policisë së Qarkut, Dhimitraq Ziu.

Nga të shtënat me armë në Klos ka mbetur i vdekur në vendngjarje 17-vjeçari Kenado Shira. Ndërsa babai i tij Liri Shira mbeti i plagosur.

Babai kishte shkuar të merrte djalin pasi kishte mbaruar mësimin dhe të dy kishin qenë duke ecur sëbashku në trotuar.

Ata të dy do ktheheshin me furgon drejt fshatit të tyre, Fullqet. Por në hyrje të një lokali në këtë qytet, ata janë qëlluar me armë, ndërsa për pasojë të plagosur kanë mbetur dhe dy të tjerë. Trupi i pajetë i të miturit qëndroi për 1 orë e gjysmë në trotuar, deri sa të vinte ambulanca.

Babai ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.

Njoftimi i Policisë: 

Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).

Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.