Një çift bashkëshortësh janë ndaluar në Sarandë, pasi akuzohen për kontrabandë ilaçesh.
Në pranga kanë rënë 64-vjeçari me iniciale K.A. e 62-vjeçarja me inciale A.A. pas kontrollit në farmacinë e çiftit në lagjen 1 në Sarandë, policia ka gjetur një sasi ilaçesh të cilat nuk kishin dokumentet përkatëse e dyshohet se ishin kontrabandë.
Më pas policia ka kontrolluar edhe banesën e çiftit ku në dy dhoma ka gjetur rreth 1290 ilaçe me vlerë rreth 70 mijë euro, të cilët dyshohet se janë kontrabandë.
Njoftimi
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në kuadër të përmbushjes së prioriteteve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, mbështetur me inteligjencë informative, se në një farmaci, në qytetin e Sarandës, tregtoheshin medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, nga dy shtetas, të cilët mbanin dhe në banesën e tyre medikamente të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor koduar “Storage”.
Operacioni nisi në lagjen nr. 1, Sarandë, ku shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasve K. A. dhe A. A. (bashkëshortë), gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët janë munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Storage”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– K. A., 64 vjeç dhe A. A., 62 vjeçe, të dy banues në Sarandë.
Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.”