Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës për krimet e luftës në Kosovë nuk u ka pëlqyer shumë disa prej të pranishmëve.
Zëdhënësi i Rumanisë në Asamble, Iulian Bulai tha se ky organ i Këshillit të Europës nuk është Prokurori dhe se duhen pritur përgjigjet nga Prokuroria e Hagës fillimisht.
Bulai tha se Rama fillimisht në fjalimin e tij u shfaq si vizionar, por në fund u tregua se i frikësohet fantazmave të së shkuarës.
“Vizita juaj është historike, pjesa e parë e fjalës suaj shfaqi një udhëheqës vizionar në çështje ndërkombëtare. Por pati një asimetri midis gjithë ambicieve të mëdha dhe shfaqjes së një politikani që i frikësohet fantazmave të së shkuarës. Kjo është për të ardhur keq. Duhet thënë që kjo asamble nuk është prokuroria. Le të presim përgjigjen e Prokurorisë në Hagë për t’iu përgjigjur. Pse të synohet për një minishengen si Ballkani i Hapur, kur ne mund t’ju ndihmojmë të synoni poër një shembull më të madh. Cili është roli që mund të luajë Shqipëria si model në integrimin e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, zoti kryeministër, mbështesni nismën e Ballkanit të Hapur që kundërshtohet nga Kosova dhe që e izolon atë. Dua një përgjigje e sinqertë.” – tha Bulai.
Kritikat Rama i mori pas fjalës së tij ku nuk u rezervua ndaj Këshillit të Europës lidhur me çështjen e Kosovës. Sipas tij bota e drejtësisë në këtë Këshill u kthye përmbys ku viktima shndërrohet në kriminel.
“Gjërat kërkojnë kohë dhe duhen bërë kërkime të thella përpara se të merret vendim. Kur bota kthehet përmbys dhe viktima bëhet kriminel gjithçka është e mundur. Bashkësia ndërkombëtare është viktimë. Një lajm i rremë mizor arriti të shndërrohej në një raport. Shumë njerëz u keqinformuan dhe minuan drejtësinë. Një shtrembërim i shëmtuar i të drejtave të njeriut. Nuk jam këtu për të fajësuar paraardhësit tuaj, por jam këtu për ju. Gra dhe burra që i lidh me ndërgjegjen europiane të drejtësisë. Jam këtu t’ju them se si rrjedhojë e vendimit të shkuar të këtij Këshilli, bota e drejtësisë u kthye përmbys, viktimat e luftës së tmerrshme u kthyen në kriminelë. Lufta heroike e njerëzve të zakonshëm, u shndërrua në një histori të tmerrshme trafikimi të organeve. Ata që u shpëtuan më ndërhyrje humanitare u akuzuan për krime. Drejtësia ndërkombëtare u mënjanua edhe njëherë. Nuk jam këtu të lutem për Kosovën, e vërteta e Kosovës është e njohur për të gjitha ata që kanë sy për të parë. Pa këtë të vërtetë bashkësia ndërkombëtare do të vazhdonte të rrinte mënjanë. Kosova ka paraqitur kërkesën për tu bërë anëtare e Këshillit të Europës, Shqipëria e mbeshtet. Serbia duhet ta njohë Kosovës si shtet si fqinj të pavarur, por nëse për Serbisë kjo kërkon kohë për ju nuk duhet të kërkojë më kohë. Bëjini tani, për Europën që përballet me një luftë të shëmtuar dhe nëse doni një opinion të dytë dëgjoni ukrainasit. Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, pyetini çfarë mendoj tani. Përpiquni të njoftoni Zelenskyn 10 vite më pas të bëhet pjesë e diçkaje surreale siç është Thaçi sot. Me pranimin e Kosovës në këtë falje do të mbështesim reformën në drejtësi dhe do të ndihmojë shoqërinë kosovarë të mbajë qeverinë në kontroll. Pavarësisht moshës së saj të re Kosova do t’ja dalë. Është besimi i fortë i shqiptarëve në institucione si ky që është tronditur. Për hir të Zotit mos i lini gabimet e mëparshme të shndërrohen në mëkate. Jam këtu për t’u përgjëruar që t’i shpëtoni fytyrën të drejtave të njeriut. Ju bëj thirrje të rrëzoni akuzat kundër Kosovës. Kjo nuk është as për hir të Kosovës dhe as për hir të Shqipërisë është për nderin tuaj. Bota është mjaftueshëm keq, por duhen luftëtarë që të luftojnë për to, por nuk mund të ketë luftëtarë nëse nuk ka besim. Zoti ju bekoftë të gjithëve.”– tha Rama.