Vendosni fjalën kyçe....

Balluku i përgjigjet ambasadores së BE-së: Rreziku i paraqitur nga raporti i BE-së për pastrim parash përmes amnistisë fiskale, hipotetik


Zv.kryeministrja Balluku i tha ambasadores së BE-së në Tiranë se Shqipëria i ka marrë dhe i ka lexuar gjetjet e raportit për t’i adresuar problematikat.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Hohmann, numri dy i qeverisë theksoi se Shqipëria ka njohur zhvillim në luftën kundër pastrimit të parave.

Po kështu ajo theksoi se vlerësimi i raportit mbi rrezikun e pastrimit të parave përmes aministisë fiskale është hipotetik.

Balluku tha gjithashtu se qeveria do vijojë këshillimin lidhur me procesin në fjalë.

“Do flas për amnistinë fiskale, pasi për pasaportat e arta kam pak për të thënë. Është bërë një progres në planin e veprimit, për luftën kundër pastrimit të parave. Vendi ynë ka bërë përpjekje kundër krimit të organizuar me një bashkëpunim të fortë me vendet e BE, si me agjenci të tjera si Eurojust dhe Europol. Sa i përket draftit për amnistinë fiskale, vlerësimi që vjen në raport është hipotetik. Mund të vërë në rrezik procesin e pastrimit të parave, por është hipotetike. Është draft që e kemi të hapur për diskutim. Amnistia fiskale ka kaluar si radhë herë më parë një proces të rëndësishëm, proces të rëndësishëm kombëtar ku morën pjesë 500 mijë qytetarë, që i janë përgjigjur ‘po’ kësaj amnistie që ka synim legalizimin e parave të ardhura nga emigracioni. Do merren parasysh rreziqet që lidhen me këtë proces. S’e kemi shpikur ne rrotën as nuk është një shteg i pashkelur më parë. I referohemi vendeve të tjera të BE.  E garantojmë ambasadoren dhe komisionin se ky do të jetë një proces që do vazhdojë konsultimin. Do shohim të gjitha gjetjet dhe shqetësimet e komisionit. Dhe për ‘Golden pasaport’ është shqetësim hipotetik. Për këtë program i jemi referuar praktikave të vendeve të BE të cilat sot e kësaj dite, i kanë këto programe nën proces dhe vazhdojnë i aplikojnë dhe ne i jemi referuar atyre për atë çka i sjellin vendin dhe çfarë benefitesh kanë marrë. Ne do i lexojmë me vëmendje të gjitha gjetjet e tyre për të adresuar ato që duhen adresuar.” – tha Balluku.