Kryetari i Dhomës së Komunave të Kanadasë, Anthony Rota, i cili ndodhet në Tiranë, pas fjalimit që mbajti në Kuvendin shqiptar, është takuar me presidentin Bajram Begaj.
Siç thuhet në një njoftim të Presidencës, Begaj vlerësoi vizitën e Kryetarit Rota si “një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kanadasë”.
Kjo vizitë përkon me kremtimet e 35-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Në këtë takim, Presidenti Begaj vlerësoi ecurinë e dialogut politik si dhe partneritetin e ngushtë në kuadër të aleancës në NATO. Ai bëri një vlerësim edhe për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë integrimit dhe ruajtjes së trashëgimisë historike e kulturore të komunitetit shqiptar që jeton e punon në këtë vend, duke e konsideruar atë si një urë miqësie e bashkëpunimi. Si një vlerë të shtuar në këtë aspekt, Presidenti Begaj vlerësoi marrëveshjen dypalëshe për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.
“Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes parlamenteve të dy vendeve dhe shprehu besimin se Kryetari Rota dhe deputetët e tjerë kanadezë do të japin ndihmesën e tyre në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve përfaqësuese diplomatike në kryeqytetet respektive.”- thotë Presidenca.
Rota nga ana tjetër “vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe e siguroi Presidentin Begaj për mbështetjen e tij dhe të Dhomës së Deputetëve për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.”
Mes temave të tjera, Rota dhe Begaj u ndalën dhe në zhvillimet më të fundit botërore, agresionin ushtarak rus në Ukrainë, kërcënimet për paqen, sigurinë dhe rendin aktual botëror, ndikimi i ndryshimeve klimatike në çështjet e sigurisë, si dhe angazhimet e përbashkëta dhe nevojës së reagimeve të koordinuara dypalëshe dhe me aleatët. Por edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësia e vijimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.