Vendosni fjalën kyçe....

Franca dërgon gaz në Gjermani, plotëson më pak se 2% të nevojave ditore

 

Franca ka dërguar gaz në Gjermani për herë të parë në bazë të “solidaritetit evropian”.

Gazi, i shpërndarë nëpërmjet një tubacioni, është pjesë e një marrëveshjeje midis vendeve për të lehtësuar mungesat e energjisë pasi Rusia mbylli rubinetet për Evropën.

Megjithëse fluksi i ri është më pak se 2% e nevojave ditore të Gjermanisë, ai është i mirëpritur ndërsa Berlini lufton për të diversifikuar energjinë e tij.

Rusia është akuzuar për përdorimin e furnizimeve me gaz si armë kundër Perëndimit që nga pushtimi i Ukrainës.

Operatori francez i rrjetit, GRTgaz, tha se fillimisht do të dërgonte 31 gigavat orë (GWh) në ditë, nëpërmjet një tubacioni nga fshati kufitar francez i Obergailbach.

Kapaciteti maksimal ditor i rrjedhës së re të gazit është 100 GWh, shtohet në një deklaratë.

Muajin e kaluar, në marrëveshjen e solidaritetit energjetik, Gjermania u zotua të sigurojë energji shtesë për Francën kur të jetë e nevojshme, dhe në këmbim Franca ra dakord të ndihmojë Gjermaninë me furnizimet me gaz.

Nëse nuk do të kishim solidaritetin evropian dhe një treg të integruar dhe të bashkuar tani, do të kishim probleme serioze”, tha presidenti francez Emmanuel Macron të mërkurën.

Franca është më pak e prekur nga mbyllja e rubineteve të gazit nga Rusia, sepse shumica e nevojave të saj për energji plotësohen nga Norvegjia dhe përmes furnizimeve të gazit natyror të lëngshëm.

Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt çoi në rritje të çmimit të gazit dhe klientët e BE-së përballen me tarifa rekord këtë dimër.

Deri atëherë Gjermania mbështetej tek Rusia për 55% të gazit të saj. Ajo e ka ulur këtë në 35% dhe dëshiron që përfundimisht të zvogëlojë importet në zero.

Gjermania po rrit gjithashtu përdorimin e qymyrit dhe po zgjat jetën e termocentraleve që do të mbylleshin – pavarësisht ndikimit negativ mjedisor.

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk i vjen keq që u mbështet te Rusia si furnizues kryesor i gazit gjatë 16 viteve të saj në qeveri.

Qeveria gjermane shpreson të reduktojë përdorimin e gazit me 2% duke kufizuar përdorimin e ndriçimit dhe ngrohjes në ndërtesat publike këtë dimër.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se rubinetet e gazit ende mund të hapen drejt Evropës dhe se “topi, tani është në fushën e Bashkimit Evropian”.