Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur i gatshëm që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kurdo që të caktohet takimi i radhës.
“Kur të na thërrasin jemi të gatshëm që të zhvillojmë takimin e radhës, por ne ndërkohë duhet të vijmë në arat që punohen, në çerdhet që na dhurohen. Jeta vazhdon.”– iu përgjigj Kurti gazetarëve në një prononcim për mediet pas vizitës në Miresh të Gjilanit.
Ai foli dhe për takimin që pati me Lajçak. Kurti ka deklaruar se në takimin e sotëm me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe zbatimin e asaj për energjinë në veri.
“Gjithmonë i kemi dy tema kryesore, e para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta janë çështjet aktuale. Në çështjet aktuale kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë, në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të fillojë inkasimi për energjinë e konsumuar, sepse nuk ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë. Prandaj tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energjinë që edhe atje të paguhet energjia elektrike. Që është e domosdoshme për ekonominë tonë dhe për ligjet tona.”– ka shtuar Kurti.