Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka mbrojtur vendimet që ka marrë për blerjen e gazit natyror nga Rusia, sa ka udhëhequr Gjermaninë.
Duke folur nga Lisbona, Merkel ka thënë se “ju gjithmonë veproni varësisht në kohën që jeni” dhe që nuk pendohet për vendimet e saj.
Ajo ka thënë se është e qartë që Gjermania ka pasur nevojë për shumëllojshmëri të furnizuesve të energjisë, teksa ka nisur të heqë dorë nga prodhimi i energjisë bërthamore dhe asaj me thëngjill.
Merkel ka thënë se “sipas perspektivës së asaj kohe, ka qenë shumë racional dhe i kuptueshëm furnizimi përmes gazsjellësve, përfshirë atyre rusë, që kanë bartur gazin në çmim më të lirë sesa vendet tjera në botë”.
Sipas saj, “edhe në kohën e Luftës së Ftohtë, Rusia ka qenë furnizuese e besueshme e energjisë”.
Merkel e ka udhëhequr Gjermaninë nga viti 2005 e deri në fund të dhjetorit të vitit 2021.
Gjatë kohës sa ka qenë në pushtet, gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 ka bartur gazin drejtpërdrejt nga Rusia në Gjermani, përmes Detit Baltik.
Qeveria e saj e ka miratuar edhe gazsjellësin paralel, Rrjedha Veriore 2, pavarësisht kundërshtimeve të shteteve në qendër dhe lindje të Evropës, si dhe Shteteve të Bashkuara.