Lideri i instaluar nga Rusia në rajonin ukrainas Kherson, Vladimir Saldo, u ka bërë thirrje civilëve që të evakuohen, duke përmendur sulmet ditore me raketa nga forcat ushtarake ukrainase.
Ai u ka bërë thirrje civilëve që të “shpëtojnë veten” duke shkuar në Rusi për “pushim dhe studime”, si dhe ka kërkuar ndihmën e Moskës.
Kësaj thirrjeje i është bashkuar më vonë zëvendëskryeministri rus, Marat Khusnullin, përmes një mesazhi në televizionin shtetëror.
Ukraina hedh poshtë akuzat se shënjestron civilët e saj.
Trupat e saj ushtarake kanë çliruar së fundi disa zona në veriperëndim të Khersonit, dhe i janë afruar qendrës.
“Qeveria ka marrë vendim për të organizuar ndihmë për largimin e banorëve nga rajoni i Khersonit për në rajonet tjera të shtetit”, ka thënë Khusnullin.
“Ne do t’i ofrojmë secilit akomodim të lirë dhe gjithçka që është e nevojshme”.
Në mesin e armëve tjera, Kievi ka përdorur sistemet raketore amerikane, HIMARS, duke goditur me to shënjestrat ushtarake ruse.
Khersoni është kryeqyteti i vetëm rajonal që ka rënë nën kontrollin e forcave ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti rus, Vladimir Putin ka shpallur aneksimin e katër rajoneve ukrainase: Kherson, Zaporizhja, Donjeck dhe Luhansk.
Ukraina dhe Perëndimi e kanë dënuar këtë hap, duke thënë se është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Për më shumë, Rusia nuk kontrollon në tërësi këto rajone.