Vendosni fjalën kyçe....

Shkatërrohet monumenti i Pushkinit në Kiev


Një monument në qendër të Kievit kushtuar poetit rus të shekullit të 19-të, Aleksandër Pushkin, u shkatërrua të martën, sipas bashkëthemeluesit të projektit të ‘Dekomunizimit të Ukrainës’, Vadim Pozdnyakov. Masa vjen pasi autoritetet ukrainase vijojnë fushatën për të hequr qafe të kaluarën sovjetike e ruse të vendit.

Pozdnyakov pretendon se statuja, e cila ndodhej përpara Universitetit Kombëtar të Transportit, ishte një simbol i ‘botës ruse’ për autoritetet ukrainase. Prishja e tij i është kushtuar një togeri, aktivisti e akademiku ukrainas Denis Antipov, i cili vdiq në maj gjatë një beteje me forcat ruse.

Trashëgimia që zyrtarët e vendit po përpiqen të zhdukin përfshin gjuhën ruse, emrat e rrugëve dhe statujat që përkujtojnë figura të shumta kulturore dhe politike. Monumentet kushtuar Pushkinit kanë qenë veçanërisht në shënjestër, pasi poeti konsiderohet gjerësisht se ka qenë një nga figurat kryesore në zhvillimin e letërsisë moderne ruse dhe përparimin e gjuhës ruse.

“Pushkini është një simbol i imperializmit rus, personifikimi i botës dhe identitetit rus.” – tha Oleg Slabospitskiy, zyrtari i grupit të veprimit civil Euromaidan, duke akuzuar poetin për propagandë, ‘ukrainofobi’ dhe ‘urrejtja ndaj ukrainasve e polakëve’.

Në shtator, Slabospitskiy organizoi një fushatë për të vandalizuar të gjitha monumentet e mbetura ruse dhe sovjetike në Kiev, ndërsa autoritetet lokale rrëzuan një bust të Pushkinit të instaluar përpara një prej gjimnazeve të qytetit. Disa javë më parë, një grup i supozuar neo-nazistësh sulmuan gjithashtu një bust tjetër të poetit të vendosur në një nga stacionet e metrosë së Kievit, duke e lyer me bojë të kuqe.

Statujat e Pushkinit janë shkatërruar gjithashtu në disa qytete në të gjithë Ukrainën. Në fillim të këtij viti, u botua një peticion që kërkonte ndryshimin e të gjitha rrugëve që mbajnë emrin ‘Pushkin’ anembanë Ukrainës me emrin e shkrimtarit amerikan Stephen King.