Forcat ruse kanë nisur sulme të reja në rajonin e Kievit. BBC shkruan se objektet kritike të infrastrukturës në Makariv, një qytet i vogël në perëndim të Kievit, u shkatërruan pasi zona u godit me tre dronë këtë të enjte.
“Kishte një bombardim me dronë gjatë natës nga pushtuesit në komunitetin Makariv.”- tha në Telegram Andriy Nebytov, kreu i policisë së rajonit të Kievit.
Nuk është raportuar për viktima deri më tani.
Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës presidenciale të Volodymyr Zelensky, tha se sulmi ndodhi nga “dronë kamikaze në objektet e infrastrukturës kritike”.
Ukraina ka raportuar një seri sulmesh ruse me drone Shahed-136 të prodhuara nga Irani gjatë javëve të fundit.
Irani e mohon furnizimin me dronë në Rusi, ndërsa Kremlini nuk ka komentuar.
Në jug, gjashtë dronë kamikaze u rrëzuan gjatë natës, sipas shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin pritet të takohet sot më vonë me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan në një samit rajonal në Kazakistan.
Zyrtarët nga Kremlini kanë thënë se Erdogan ndoshta do të dëshirojë të diskutojë bisedimet e paqes mbi luftën në Ukrainë.
Erdogan ka kërkuar vazhdimisht të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës gjatë luftës, duke promovuar një qëndrim “të balancuar” për Turqinë anëtare të NATO-s, ndërsa kundërshton sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. Pasi dyshja u takuan në shtator, Erdogan tha se përshtypja e tij ishte se Putini dëshironte “t’i jepte fund kësaj lufte sa më shpejt që të ishte e mundur”.