Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore – Stoltenberg


Shtetet anëtare të NATO-s duhet të sigurojnë më shumë sisteme kundërajrore e antiraketë për Ukrainën, tha të mërkurën Sekretari i përgjithshëm i aleancës. Jens Stoltenberg theksoi ‘nevojën e menjëhershme’ të Kievit për një armatim të tillë, përpara një takimi të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

“Aleatët kanë siguruar mbrojtje ajrore, por ne kemi nevojë edhe më shumë. Ne kemi nevojë për lloje të ndryshme të mbrojtjes ajrore.” – u tha Stoltenberg gazetarëve, duke përmendur ‘sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe me rreze të gjatë për të kapur raketat balistike, raketat lundruese e dronët’.

Shefi i NATO-s vlerësoi Gjermaninë për dërgimin e interceptorëve të përparuar IRIS-T në Ukrainë. Ai shtoi se NATO-ja duhet të ‘rrisë” furnizimet e tilla, pasi Ukraina është një vend i madh me shumë qytete që kanë nevojë për mbrojtje kundër sulmeve ruse’.

Shefi i NATO-s po i referohej bombardimeve të kësaj jave të infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilën Moska e quajti hakmarrje për sulmet e Kievit ndaj infrastrukturës ruse të energjisë dhe transportit.

Të martën, ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, pranoi se afërsisht një e treta e infrastrukturës energjetike të vendit u dëmtua gjatë dy ditëve të sulmeve ruse.