Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e ish-Presidentit Trump për të ndërhyrë në çështjen e dokumentave


Gjykata e Lartë refuzoi të enjten kërkesën e ish-Presidentit Donald Trump për të ndërhyrë në betejën ligjore rreth inspektimit nga FBI-ja të pronës së tij në Florida.

Gjykatësit nuk komentuan për refuzimin e kësaj kërkese emergjence të ish-Presidentit Trump.

Kërkesa e ish-Presidentit Trump kishte të bënte me dokumentat e klasifikuara të marra nga Mar-a-Lago gjatë inspektimit të autorizuar nga një gjykatës federal.

Ekipi ligjor i ish-presidentit i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë të rrëzonin vendimin e një gjykate të nivelit më të ulët dhe të lejonin një ekspert të pavarur, që të shqyrtonte rreth 100 dokumentat e shënuara si të klasifikuara që u morën gjatë inspektimit të Mar-a-Lagos më 8 gusht.

Një trupë e përbërë nga tre gjykatës nga Gjykata e Apelit në Atlanta kufizoi muajin e kaluar gamën e shqyrtimit të ekspertit të posaçëm, duke i lejuar vetëm dokumentat e paklasifikuara. Gjykatësit, dy prej të cilëve të emëruar nga ish-Presidenti Trump, vendosën në favor të Departamentit të Drejtësisë, i cili ishte shprehur se nuk ka bazë ligjore që një ekspert i posaçëm të bëjë një shqyrtim të tijin të dokumentave të klasifikuara.

Por avokatët e zotit Trump u shprehën në kërkesën e tyre në Gjykatën e Lartë se ishte thelbësore që eksperti i posaçëm të kishte qasje në të dhënat e klasifikuara për të “përcaktuar nëse dokumentat që mbajnë shenja klasifikimi janë në fakt të klasifikuara dhe pavarësisht nga klasifikimi, nëse ato të dhëna janë të dhëna personale apo të dhëna presidenciale”.

Departamenti i Drejtësisë u shpreh në një dokument të dorëzuar në Gjykatën e Lartë se kërkesa e ish-Presidentit Trump nuk kishte asnjë bazë.

FBI-ja thotë se ka sekuestruar rreth 11 mijë dokumenta, përfshirë rreth 100 dokumenta të klasifikuara, gjatë kontrollit të saj. Ekipi i ish-Presidentit Trump i kërkoi një gjyqtareje në Florida, Aileen Cannon, të caktonte një ekspert të posaçëm për të bërë një rishikim të pavarur të të dhënave.

Zonja Cannon më pas caktoi një gjyqtar veteran të Bruklinit, Raymond Dearie, për të shqyrtuar të dhënat dhe për të veçuar ato që mund të mbrohen nga imuniteti i marrëdhënies avokat-klient dhe imuniteti ekzekutiv. Departamenti i Drejtësisë kundërshtoi që zoti Dearie të kishte aftësitë për të rishikuar të dhënat e klasifikuara, duke bërë që gjykata e qarkut të vendoste në favor të departamentit.