Vendosni fjalën kyçe....

I kërkuar në SHBA për trafik droge, arrestohet në Rinas shtetasi indian


Një shtetas indian është arrestuar ditën e sotme në aeroportin e Rinasit pasi kërkohej për trafik droge nga autoritetet amerikane.

31-vjeçari N. M. u arrestua pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe Agjencinë Ligjzbatuese Amerikane DEA pasi ishte shpallur në kërkim prej kohësh.

Koordinimi tri agjencive, RSO/DSS, Policia e Shtetit dhe DEA, rezultoi me arrestimin në Rinas, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të një shtetasi indian, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit kriminal.

Për arrestimin e këtij shtetasi dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore nga pala shqiptare (Njësia “Mburoja e Përbashkët”) është koordinuar në kohë reale me autoritetet qendrore të drejtësisë shqiptare dhe këto të fundit kanë dhënë dritë jeshile për këtë operacion të përbashkët hetimor.

Njësia Policore “Mburoja e Përbashkët” ka kryer hetime paraprake në koordinim të vazhdueshëm, si me Zyrën Rajonale të Sigurisë të ambasadës amerikane në Tiranë, ashtu edhe me zyrtarë të DEA-s në Shqipëri.

Si rezultat i veprimeve të koordinuara më parë, Njësia Policore “Mburoja e Përbashket” ka arritur të lokalizojë dhe të arrestojë shtetasin indian N. M., 31 vjeç, në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bërë ekzekutimin e dy urdhër arresteve amerikane, por dhe kryerjen e hetimeve të tjera sipas marrëveshjeve në fushën e hetimeve penale në fuqi, ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është duke punuar për ekstradimin e këtij shtetasi drejt SHBA-së”-njofton policia.