Ministra e Financave përllogariti se kostot buxhetore për subvencionin çmimit të energjisë do të përmbyllen këtë vit në nivelin e 28 miliardë lekëve ose rreth 237 milionë euro.
Të dhënat u bënë publike në raportimet për paketën fiskale 2023. Kjo shumë është në formën e mbështetjes direkte dhe garancive të lëshuara për kompanitë publike të energjisë.
E krahasuar me zërat e tjerë buxhetore, subvencioni i energjisë i ka kushtuar buxhetit të shtetit sa zëri i shpenzimeve të brendshme të investimeve publike.
Ministria e Financave shpjegoi se, për shkak të krizës botërore energjetikë, gjatë vitit 2022 është konstatuar një rritje e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në treg, e cila ka sjellë pasoja negative në shumë sektorë të ekonomisë, duke dhënë një ndikim të drejtpërdrejtë në koston e të gjitha mallrave dhe çmimeve në treg, dhe rrjedhimisht në një rritje të kostos së jetesës.
Si pasojë e rritjes së jashtëzakonshme të çmimit të energjisë, Qeveria ka qenë e detyruar të mbrojë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël, duke alokuar fonde nga buxheti shtetit për mbajtjen e çmimit për familjarin të pandryshuar, si dhe për biznesin në nivele të pranueshme, referoi Ministria e Financave.
“Në vitin 2022 buxheti i shtetit ka shpenzuar 28 miliardë lekë për subvencionimin e diferencës së çmimit për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, shifër kjo e krahasueshme me totalin e investimeve publike me fonde të brendshme që planifikohet për një vit” raportoi Ministria e Financave.
Stabiliteti fiskal i vendit po cenohet nga kriza energjetikë dhe interesat më të larta të borxhit, të cilat edhe në vitin 2023 do të kërkojnë më shumë financime nga buxheti i shtetit.
Për të lehtësuar disi situatën Ministria e Financave ka propozuar që në paketën fiskale të vitit 2023 të përjashtohen nga TVSH-ja deri në 31 dhjetor 2023 disa artikuj me mbrojtjen dhe suportimin e individëve në kushtet e një krize energjetike si kjo e tanishmja. Artikujt janë pajisje të tilla si akumulatorë baterish që përdoren në instalimet e paneleve diellore.
Gjithashtu për të nxitur krijimin e një burse, qeveria do të miratojë një skemë të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë, duke përjashtuar nga TVSH-ja transaksionet e blerjes dhe shitjes së energjisë nga Bursa Shqiptare e Energjisë.
Masa e qeverise synon përjashtimin nga TVSH-ja në import apo furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për tu shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë si dhe kalimin e përgjegjësisë për pagesën e TVSH-së./B.Hoxha
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor