Vendosni fjalën kyçe....

Meta për progresraportin e BE-së: Evidenton keqqeverisjen e Ramës


Kreu i Partisë së Lirisë Meta foli sot për progresraportin e BE-së për Shqipërinë.

Në një konferencës për shtyp ai ceku pikat kryesore të raportit që kanë të bëjnë me dy projekte të qeverisë Rama si amnistia fiskale e ‘pasaportat e arta’, të cilat janë kritikuar në raport.

“Filluan punimet për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe mbrojtjen ndërkombëtare të biodiversitetit, konventa që tashmë janë ratifikuar, thuhet gjithashtu në Progres Raport. Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen të biodiversitetit, pasi mund të çojë në investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura, thuhet në raportin e Komisionit Europian. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe luftën kundër pastrimit të parave. Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të frenohet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së.” – tha Meta.

Kreu i PL-së vijoi më tej duke thënë se raporti ngre shqetësime të shumta si mbi projektet e vendimet e qeverisë Rama ashtu edhe me mënyrën e organizimit të administatës duke e vënë theksin te agjencitë e ngritura nga qeveria.

“Rishikimet e shpeshta të buxhetit dobësojnë besueshmërinë fiskale. Krijimi i disa agjencive qeveritare rreth Kryeministrisë, pa një kuadër gjithëpërfshirës drejtues dhe pa vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikqyrjes dhe raportimit, ngre pikëpyetje në lidhje me standardet e administratës publike. Mbikqyrja parlamentare mbetet e kufizuar. Kryeministri nuk mori pjesë në asnjë nga katër interpelancat e thirrura me të. Konsultimet publike dhe me shoqërinë civile mbeten të natyrës formale. Shqipëria vazhdon të jetë vend origjine, tranziti dhe destinacioni i trafikimit të qenieve njerëzore. Krimi gjeneron sasi të madhe parash përmes trafikut të drogës, evazionit fiskal, kontrabandimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Shqipëria nuk ka një strategji kombëtare për drogat dhe as observator kombëtar për drogat. Trafikimi i drogës vazhdon të jetë forma më e përhapur e krimit të rëndë. Nuk është bërë progres në lirinë e shprehjes. Cënim i pavarësisë së medias, frikësimi i gazetarëve, mungesa e aksesit në institucionet qeveritare, mungesa e transparencës. Të sigurohet pavarësia e RTSH-së.” – theksoi Meta.

Ai preku gjithashtu edhe gjetjet e raportit që kanë të bëjnë me investimet e qeverisë për arsimin, numrin e azilkërkuesve shqiptarë, klima e të bërit biznes etj.

“Alokimi i buxhetit të Shqipërisë për arsimin në vitin 2021 mbetet i ulët. Sa i përket fondeve të Kërkimit është shumë më poshtë se 1% e PBB-së e synuar deri në vitin 2022. Numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE-së është rritur ndjeshëm në verën e vitit 2021. Është ulur me 35% shkëmbimi i informacioneve të policisë shqiptare me partnerët përmes sistemit SIENA. Të drejtat pronësore, sektor i prirur ndaj korrupsionit që cënon regjistrimin e të dhënave kadastrale. Procesi i kompesimit ka ngecur. Klima e të bërit biznes vazhdon të ketë probleme që lidhen me sigurinë ligjore, për shkak të moszbatimit të legjislacionit dhe mungesës së konsultimeve. Njësitë e qeverisjes vendore vuajnë nga mungesa e burimeve financiare, kapaciteteve administrative dhe transparencës në ushtrimin e kompetencave e tyre. Autonomia e tyre fiskale mbetet e rrezikuar, për shkak se buxheti varet prej transferimit në nivel qendror. Numri i lartë i kontratave të përkohshme të punësimit në qeverisjen vendore vazhdon të jetë problematik.” – mbylli Meta.