Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në Turqi pas shpërthimit në minierë, humbin jetën 14 minatorë, dhjetëra të humbur


Të paktën 14 persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një minierë qymyrguri në Turqinë veriore, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po përpiqen të arrijnë dhjetëra minatorë të bllokuar nën tokë, thanë zyrtarët turq.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu u tha gazetarëve në vendin e incidentit të premten se 110 minatorë po punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi. Të paktën 49 minatorë besohet se janë ende të bllokuar, shtoi ai.

Më herët, guvernatorja e zonës Nurtac Arslan tha se disa minatorë u bllokuan 350 metra nën tokë dhe 44 të tjerë në një vend tjetër 300 metra nën tokë në minierën e qytetin portual të Detit të Zi, Amasra në provincën Bartin.

Ajo tha se tetë minatorë kishin arritur të zvarriteshin vetë nga gropa e dëmtuar dhe tani po merrnin ndihmë mjekësore.

“Përpjekjet tona të shpëtimit vazhdojnë.” – tha Arslan.

Shpërthimi ndodhi 300 metra nën hyrjen e minierës rreth orës 15:15, tha zyra e guvernatores së Bartin.

Shkaku i shpërthimit në minierën Turke Hard Coal Enterprises (TTK) është nën hetim.

Pamjet televizive turke treguan minatorë që po transportoheshin në ambulanca, me personelin e urgjencës që po mbushte zonën.

Presidenti Erdogan ka dërguar më herët ministrin e Energjisë Fatih Donmez dhe atë të Brendshëm Soylu në vendngjarje, sipas mediave vendase.